Aktualitet

Ndalimi i Belerit, Rama: Të jetë i provuar, të mos nxitohet me konkluzione politike!

Lidhur me ndalimin e Fredi Belerit vjen dhe reagimi i kryeministrit Rama. Një Twitter shefi i qeverisë apelon të respektohet pavarësia e plotë e organeve të drejtësisë. Po ashtu, bën thirrje të priten me durim provat e drejtësisë e të mos nxitohet me përfundime politike:

Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!

Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë.

Kujtojmë se kryeministri Rama shpërtheu ndaj kandidatit të “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri, pas deklaratës së tij të fortë në Greqi se do të “helenizojë Himarën”. Në Top Story, në Top Channel, Rama iu përgjigj me gjuhë të ashpër, duke e cilësuar Belerin si më analfabetin e më skandalozin, që nuk ka lidhje me kandidatët e tjerë të opozitës. Kryeministri tha se ai garon me mbështetjen e “faqes së zezë të Shqipërisë” për të helenizuar Himarën. Rama shtoi se Belerin e ka sulmuar për arsye shumë më tepër se politike. Sipas tij është ofendim i madh për gjithë Republikën që një kandidat të ndezë atë zjarr në Himarë.

Më herët, drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë, Rebani Jaupi, i cili foli për masat e marra nga Policia e Shtetit lidhur me procesin zgjedhor të 14 Majit, u pyet nga gazetarët për ndalimin e Fredi Belerit.

Eshtë e vërtetë që Fredi Beleri është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Nën drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, ka pasur një procedim në ndjekje. Për këtë, sapo të kenë përfunduar veprimet proceduriale, do të ketë një njoftim për shtyp.