Bota

Ndërron jetë personi më i vjetër në botë në moshën 118-vjeçare!

Motra André, personi më i vjetër i njohur në botë, ka ndërruar jetë në moshën 118 vjeçe dhe 340 ditëshe. Më pak se një muaj larg ditëlindjes së saj të 119-të, ajo mbajti rekordin për personin më të vjetër të gjallë në botë gjithashtu edhe për murgeshën më të vjetër, sipas Rekordeve Botërore të Guinness.

Ajo lindi në Francë më 11 shkurt 1904, me emrin e vajzërisë Lucile Randon dhe mori emrin Motra André në 1944. Ajo e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në shërbimin fetar si murgeshë katolike romake.

Motra André u bë personi më i vjetër i gjallë vitin e kaluar kur Kane Tanaka nga Japonia, ndërroi jetë në moshën 119 vjeçare në prill 2022. Motra André mban gjithashtu rekordin për të mbijetuarën më të vjetër të COVID-19, me të cilën rezultoi pozitive për disa javë përpara ditëlindjes së saj të 117-të në 2021. Ajo u shërua nga virusi pas rreth tre javësh. Ajo gjithashtu jetoi gjatë pandemisë së gripit spanjoll të vitit 1918.

Kur ishte e re, Motra André ishte mësuese dhe kujdesej për fëmijët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas ajo kaloi 28 vjet duke punuar në një spital me jetimë dhe të moshuar përpara se të bëhej murgeshë. Në vitin 2019, Motra André u bë qytetare nderi e Toulon, Francë dhe mori një letër personale dhe rruzare të bekuar nga Papa Françesku.

Motra André ishte rreth tre vjet larg vendosjes së një rekord tjetër si personi më i vjetër ndonjëherë. Ky rekord mbahet nga Jeanne Louise Calment, gjithashtu nga Franca, e cila jetoi 122 vjet e 164 ditë dhe vdiq në vitin 1997, sipas Rekordeve Botërore Guinness.