Rajoni

Nën shembullin rus, Republika Sërpska miraton ligjin për agjentët e huaj!

Në Bosnjë, qeveria e Republikës Sërpska miratoi projektligjin që organizatave jofitimprurëse të financuara nga jashtë, iu kërkon të regjistrohen e të raportojnë për punën e tyre. Drafti u mbështet nga udhëheqësi serb i Bosnjës. Milorad Dodik deklaroi:

Organizatave të financuara nga jashtë e që veprojnë në Republikën Sërpska, ligji iu kërkon të raportojnë për gjithçka që po bëjnë. Ligji ekzistues për shoqatat dhe fondacionet e financuara nga jashtë iu rregullon themelimin, regjistrimin, organizimin e brendshëm dhe ndërprerjen e punës, por jo transparencën. Aktiviteti politik, publikimi i raporteve financiare, mbikëqyrja e ligjshmërisë së punës dhe dispozita të tjera janë mes gjërave të parregulluara.

Qeveria pretendon se ky boshllëk në rregullore krijon një situatë që mund të çojë në kolapsin e sistemit ligjor dhe kornizës kushtetuese të Republikës Sërpska e mund të shkaktojë pasoja të dëmshme për institucionet dhe organizatat e saj.

Tani, projektligji kalon në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska për debat. Kjo do të pasohet nga një periudhë dymujore për diskutim publik. Më tej, një version i përshtatur i ligjit do të kthehet në Asamblenë Kombëtare për më shumë diskutim e votim. Nëse miratohet, ligji do të hyjë në fuqi pas firmosjes nga presidenti.

Më parë, kreu i partisë më të madhe politike në Republikën Sërpska, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), Dodik u shpreh se projektligji bazohet në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-ve (FARA).

Një ligj i ngjashëm për agjentët e huaj në Rusi çoi në debate dhe u përdor për të penguar punën e mediave. Zyrtarët amerikanë argumentuan se Moska përdor ligjin e saj për agjentët e huaj, që të mos i japë zë opozitës e për të dekurajuar shkëmbimin e lirë të ideve.

Nuk ka asnjë ngjashmëri mes ligjit për agjentët e huaj të Rusisë dhe FARA-s së SHBA-ve.

Bosnja numëron rreth 25 mijë e 600 organizata joqeveritare, duke përfshirë 7 mijë e 500 me bazë në Republikën Sërpska. Nuk ka të dhëna se sa prej tyre financohen nga jashtë.