Botë e Çuditshme Travel

Nga SHBA në Dubai për 3 orë e gjysmë, ja pra që edhe ëndrrat mund të bëhen realitet…

Vitet e fundit janë prezantuar shumë projekte për avionë supersonikë, hipersonikë, me hidrogjen, e të tjera, të cilat premtojnë udhëtime super të shpejta. Por pavarësisht premtimeve të mëdha, asnjëri nga projektet nuk është konkretizuar.

Së fundmi një kompani e re europiane ka vendosur të provojë të futet në garë, duke premtuar udhëtime hipersonike nga Frankfurti në Sydney për 4 orë e 15 minuta, apo nga Tenesi (SHBA) në Dubai për 3 orë e 30 minuta. Koncepti “Destinus” është një avion që punon me hidrogjen dhe arrin të udhëtojë me shpejtësi pesë herë më të madhe se ajo e zërit, ose 6100 km/h, duke shkurtuar me ¾-tat orët e fluturimit të avionëve të zakonshëm.

Kompania me seli në Zvicër, por me 120 punonjës të shpërndarë në Spanjë, Francë e Gjermani, u themelua në vitin 2021, por po ecën me ritme të shpejta. Dy prototipat e saj të parë kanë kryer me sukses fluturimet testuese dhe do të nisin tashmë testimin e motorit me hidrogjen. Martina Löfqvist, menaxhere e kompanisë, tha për CNN se hidrogjeni është karburanti i zgjedhur prej tyre për shkak se ul ndjeshëm peshën e avionit.

Prototipat Destinus janë frymëzuar nga një projekt i krijuar fillimisht në vitet 1950, por që nuk u bë realitet kurrë, deri tani. Si një kompanië me origjinë zvicerano-franceze, avioni është i frymëzuar nga alpet. Kompania shpreson të realizojë fluturimin e parë me hidrogjen në vitin 2024, në fillim të viteve 2030 të realizojë fluturimin e modelin e vogël që mban 25 udhëtarë dhe deri në fillim të viteve 2040 të ketë nisur fluturimet e rregullta, me bileta të niveleve të ndryshme.

“Është një sfidë e madhe, por përdorimi i hidrogjenit do të ulë ndjeshëm çmimet e biletave”, thotë Löfqvist për CNN. Përveç financimeve nga investitorë të ndryshëm, kompania siguroi edhe një grant me vlerë 26,7 milionë euro nga qeveria spanjolle në prill të këtij viti, për të përshpejtuar projektin e përdorimit të hidrogjenit.

Por sfida për fluturime të shpejta mbetet ende e madhe dhe e rrezikshme. Disa kompani nuk ia kanë dalë dhe janë dorëzuar përgjatë rrugës, si ajo amerikane Aerion, e cila falimentoi në maj 2021, për shkak të pamundësisë financiare për të vijuar projektin.