Sociale

Ngricat dhe akulli “pushtojnë” vendin, Rruga e Arbrit e bllokuar; disa fshatra në Dibër të izoluar nga bora

Ndërprerja e reshjeve të dëborës, mbrëmjen e djeshme ka bërë që të ulen ndjeshëm temperaturat në të gjithë Dibrën. Si pasojë e ngricave vijon të jetë e bllokuar Rruga e Arbrit.

Policia ka vendosur postblloqe në Klos dhe në Bastar-Murrizë dhe detyron drejtuesit e mjeteve të marrin aksin e vjetër nga Burreli, deri një një njoftim të dytë.

Situata në fshatra dhe rrugë

Aksi Peshkopi-Klos kalimi bëhet me zinxhirë në orët e mëngjesit për shkak të ngricave, ndërsa më tej Klos – Skuraj pa probleme.

Aksi Ura e Çerenecit – Librazhd kalimi bëhet me zinxhirë.

Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalimi bëhet me zinxhirë.

Aksi Peshkopi- Draj Reç- Kukës kalimi bëhet me zinxhirë.

Edhe në Rrugën e Kombit, firma kontraktore e mirëmbajtjes u bën apel drejtuesve të automjeteve të bëjnë kujdes në këtë aks dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Ndërkaq në qarkun Korçë akset më problematike sipas policisë janë, Qafë Thanë-Pogradec-Qafë Plloçë-Korçë-Kapshticë, Boboshticë-Dardhë dhe Qafa e Qarrit.

Paralajmërimet për uljen ekstreme të temperaturave dhe problematikat e para nga moti i keq, kanë bërë që Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, t’u kërkojë qytetarëve të shmangin turizmin dimëror në 5 ditët e ardhshme. Një tjetër apel ministrja e ka për përdorim të kujdesshëm të energjisë elektrike pasi prej temperaturave të ulta është rritur kërkesa për konsum.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes OSSH, ben me dije se ka ngritur grupin e gatishmërisë, për menaxhimin e situatës së furnizimit në 11 rajone. Sipas OSSH u vendosën në gatishmëri, bashkë me bazën materiale, rreth 2100 punonjës.