Bota

Nikki Haley e vetme përballë ish-presidentit Donald Trump, pas daljes nga gara të guvernatorit DeSantis!

Guvernatori i Floridas Ron DeSantis ndërpreu fushatën e tij elektorale për zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane që do të përzgjedhin kandidatin zyrtar për president. Zoti DeSantis u tërhoq kështu nga gara pasi nuk arriti të sfidojë ish-presidentin Donald Trump.

Ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley mbetet tashmë rivalja e vetme përballë zotit Trump dhe thotë se dëshiron të fitojë gruaja më e mirë. Guvernatori DeSantis njoftoi vendimin e tij në një video të publikuar në rrjetin e mediave sociale X, dikur i njohur si Twitter. Ai i dha fund kandidimit të tij vetëm një javë pasi u radhit i dyti pas zotit Trump në votimet e para brenda Partisë Republikane në Ajova. DeSantis tha:

Nëse do të kishte diçka që mund të bëja për të sjellë një rezultat të favorshëm, më shumë aktivitete elektorale, më shumë intervista, do t’i bëja. Por, nuk mund t’u kërkoj mbështetësve tanë të japin kohën e tyre dhe të dhurojnë nga burimet e tyre, nëse unë nuk kam një rrugë të qartë drejt fitores. Prandaj po ndërpres sot fushatën time. Jam krenar që kam përmbushur 100% të zotimeve të mia dhe nuk do të ndalem me kaq. Është e qartë se shumica e votuesve republikanë duan t’i japin Donald Trump-it një tjetër shans.

 

Por pas njoftimit të zotit DeSantis për ndërprerjen e fushatës, zoti Trump foli me fjalë të mira.

Para se të fillojmë do të doja të përgëzoja Ron De Santisin, dhe sigurisht për ata që e kanë njohur, një person të jashtëzakonshëm, bashkëshorten e tij Casey, për një fushatë të mrekullueshme për president. Ai bëri një fushatë vërtet të mirë. Ju them që nuk është e lehtë. Mendojnë se është e lehtë t’i bësh këto, por nuk është e lehtë.