Celebrities Live From Tirana Sociale Tech

Nina Plaku tregon për TAR çdo detaj të Agjencisë së Industrisë Kreative dhe projekteve të reja që kanë të bëjnë me të!

Sot e ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Nina Plaku, përgjegjësja e sektorit në Agjencinë e Industrisë Kreative. Ajo ka folur dhe ka dhënë më shumë detaje në lidhje me inagurimin e sotëm të Agjencisë dhe sigurisht ka dhënë më shumë detaje edhe për “Micro Folie” dhe ka zbuluar disa projektet më të reja që do të vihen në zbatim për të gjithë të rinjtë në kryeqytet në shumë fusha të ndryshme si kinematografia, teatri dhe teknologjia.

Si lindi ideja për të krijuar një agjenci?

Është hera e parë në të gjithë Shqipërinë jo vetëm në Tiranë pasi Agjencia e Industrisë Kreative është një institucion në varësi të Bashkisë Tiranë dhe është hera e parë që krijohet një institucion i tillë. Mungonte një institucion i cili bënte bashkë të gjithë komponentët e Industrisë Kreative. Kemi pasur gjatë gjithë kohës të rinj, të cilët janë munduar që të sjellin edhe nisma të ndryshme por që nuk kanë qenë asnjëherë të gjitha bashkë të strukturuara në një platformë të vetme. Pra ne kemi të rinj që merren me art, me teknologji, me prodhime audio-vizuale, kemi sipërmarrje rinore me tema shumë interesante që edhe i drejtojnë të rinjtë, por ne nuk kemi pasur një institucion i cili i bënte të gjithë bashkë dhe ofronte një strukturë të të gjithë komponentëve që ka Industria Kreative.

Si do të operojë Industria Kreative dhe cila janë grupmoshat që ju tërhiqni në një farë mënyre?

Në fakt ne nuk është se kemi një grupmoshë të caktuar sepse pjesë e Agjenicisë mund të jenë fëmijët të cilët kanë nisur që tashmë të jenë pjesë e “Micro Folie Tirana” apo e strukturës së Muzeut Digjital, pas lulishtes së Kryeministrisë, por edhe çdo i ri dhe çdo profesionist i fushës mund të jetë pjesë e Agjencisë së Industrisë Kreative.

Cili do të jetë programi i Agjencisë sot duke qenë se edhe është dita e inagurimit?

Në fakt është një event vetëm me ftesa, duke marrë parasysh edhe situatën post COVID, por shumë shpejt do të kemi edhe evente të tjera të cilat do të jenë të hapura për publikun. Ne kemi dashur që sot të sjellim ingaurimin dhe çeljen e Agjencisë së Industrisë Kreative, por nuk kemi dashur që të bëjmë një hapje të zakonshme duke prerë shirta apo duke bërë një hapje institucionale. Ne kemi dashur dhe kemi sjellë një ekspozitë fotografie që e sjell Tiranën ndër vite por e parë në sytë e fotografëve. “Tirana përmbi çati” quhet ekspozita. Por përveç ekspozitës së fotografive do të ketë edhe një shfaqje me drita, do të jetë DJ ai i cili do të sjellë tingujt muzikorë dhe do të jetë e kompozuar si një shëtitje në të gjithë ekspozitën dhe jo pa qëllim ne kemi zgjedhur edhe Kullën e Stadiumit “Air Albania”, e kemi konceptuar si një nga ndërtesat më të larta ku edhe do të bëjmë shfaqjen e ekspozitës.