Bota Travel

Një amerikan dhe dy rusë fluturojnë së bashku drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor!

Një amerikan dhe dy rusë kanë fluturuar së fundmi drejt Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor me një anije kozmike ruse. Astronauti i NASA-s, Loral O’Hara dhe dy kozmonautët e Roskozmosit, Oleg Kononenko dhe Nikolai Chub, u nisën nga kozmodromi Baikonur në Kazakistan dhe u ulën në stacionin hapësinor pas tri orëve fluturim. O’Hara do t’i kalojë gjashtë muaj atje, ndërsa Kononenko dhe Chub do të qëndrojnë një vit.

Kjo treshe duhej të fluturonte drejt stacionit hapësinor pranverën e kaluar, por kabina e tyre nevojitej si zëvendësuese për një ekuipazh tjetër. Ekuipazhi i përbërë po ashtu nga dy rusë dhe një amerikan do të kthehet në shtëpi në fund të këtij muaji. Qëndrimi i tyre në stacionin hapësinor u zgjat nga gjashtë muaj në një vit, kur kabina e anijes kozmike Soyuz pësoi një rrjedhje në mekanizmin e ftohjes sa ishte e parkuar në stacion.

Ky është fluturimi i parë në hapësirë për O’Haran dhe Chub, ndërsa për komandantin e misionit, Kononenko, ky është fluturimi i pestë. Ata iu bashkohen shtatë banorëve të stacionit nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Danimarka dhe Japonia. Në fund të qëndrimit të tij 1-vjeçar, Kononenko do të vendosë një rekord të ri për kohën më të madhe të kaluar në hapësirë, më shumë se një mijë ditë.

Rusia ka thënë se do të heqë dorë nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor dhe se do ta themelojë stacionin e vet hapësinor të pavarur në të ardhmen, megjithëse ende janë duke u diskutuar planet për atë se si dhe kur do të ndodhë kjo. Programi hapësinor i Rusisë pësoi goditje të rënë muajin e kaluar, kur anija kozmike pa pilot, Luna-25, u rrëzua në tentim për të zbarkuar në polin jugor të Hënës.