Celebrities Music Showbiz

Një tjetër pjesëtare e “Little Mix” po shkon drejt një karriere solo!

Pas Jesy Nelson një tjetër anëtare e “Little Mix” dëshiron që të fillojë një karrierë solo duke u ndarë nga grupi. Tashmë është Jade Thirlwall ajo që po e mendon një gjë të tillë.

Këngëtarja thuhet se ka filluar bisedimet me “Atlantic Records” për mundësinë e nënshkrimit të një kontrate fitimprurëse për një karrierë solo. Nëse Jade arrin një marrëveshje me ta, ajo do të jetë në shoqëri të mirë pasi shtëpia diskografike është studioja e disa prej yjeve më të mëdhenj në botë, duke përfshirë Ed Sheeran, Rita Ora dhe Charli XCX. Një burim ka thënë për “The Sun” se:

Jade ka punuar shumë për muzikën e re dhe ata që i kanë dëgjuar këngët thonë se tingëllojnë mahnitëse. Jade tashmë është takuar me “Sony” për të biseduar, por me të vërtetë i ka bërë përshtypje “Atlantic” dhe të gjitha shenjat tregojnë se ajo do të shkojë me ta. Dihet mirë se “Little Mix” do të pushojë pas turneut të tyre vitin e ardhshëm dhe nuk është çudi që Jade tashmë është duke punuar në këngë solo.

Dhe Jade nuk është e vetmja anëtare e grupit që kërkon karrierë solo. Leigh-Anne Pinnock do të jetë bashkë-prezantuese e Mobo Awards muajin e ardhshëm në Coventry, pas nënshkrimit me kompaninë menaxhuese të Dua Lipës, “Tap”. Ndërkohë, Perrie Edwards është e zënë duke krijuar një karrierë të re, pasi lançoi markën e saj të veshjeve luksoze “Disora”. Por ajo nuk po e lë muzikën pas, pasi thuhet se kompania “Sony” dëshiron të nënshkruaj me të për një marrëveshje diskografike.

Rikujtojmë se, pavarësisht të gjitha gjërave që kanë ndodhur mes tyre, përsëri duket që akoma ndjenja e dashurisë dhe e respektit në një lloj mënyre nuk është humbur. Së fundmi Jesy Nelson ka pranuar se është shumë e trishtueshme pjesa që nuk flet më me ish-anëtaret e grupit ‘Little Mix’ që pas largimit të saj nga grupi.

Këngëtarja, 30-vjeçare, gjatë një interviste me Graham Norton ka thënë se nuk do të donte t’i bënte keq ish-shoqeve të grupit Leigh-Anne Pinnock, Perrie Edwards dhe Jade Thirlwall edhe pas polemikave që kanë qarkulluar kohëve të fundit për “blackfishing” në videoklipin e saj më të ri të titulluar ‘Boyz’.