Jesy Nelson ka shpërthyer në lot teksa ka folur për herë të parë hapur mbi largimin e saj nga Little Mix, duke pranuar se për vite me radhë ka zgjedhur të heshtë, sepse ishte ajo që mori vendimin për t’u larguar nga grupi.
Këngëtarja u bë e famshme në vitin 2011, krah Leigh-Anne Pinnock, Jade Thirlwall dhe Perrie Edwards, pasi fituan The X Factor dhe u shndërruan në një nga grupet më të suksesshme vajzore në botë.
Por pas famës, Jesy u përball me sulme të ashpra dhe tallje të vazhdueshme për pamjen e saj fizike, gjë që ndikoi rëndë në shëndetin mendor dhe e çoi drejt largimit nga banda në vitin 2020.
Në pamjet e para të dokumentarit të saj të ri, Jesy Nelson: Life After Little Mix, që publikohet më 13 shkurt, artistja shfaqet dukshëm e prekur emocionalisht.
Në trailer, ajo shihet duke vështruar një stadium bosh, ndërsa thotë:
Nuk kam folur kurrë për këtë. Unë thjesht doja t’i argëtoja njerëzit. Në fillim dukej magjike, por shumë shpejt gjithçka ndryshoi. Gjithmonë kam heshtur sepse isha unë ajo që u largova.
Dokumentari përfshin pamje nga vitet e saj me Little Mix, ku Jesy shihet duke qarë gjatë provave dhe duke u tërhequr nga aktivitetet e grupit, ndërsa ajo pranon se ka pasur vështirësi të mëdha për t’i mbajtur të gjitha brenda vetes.
Në seri shfaqet edhe mentorja e tyre në X Factor, Tulisa Contostavlos, e cila thekson se kur dëshiron diçka me çdo kusht, shpesh nuk i sheh pasojat negative.
Përveç ndarjes nga grupi, dokumentari trajton edhe periudhën më të dhimbshme të jetës së Jesy-t: rrugëtimin drejt mëmësisë. Ajo tregon për komplikacionet serioze gjatë shtatzënisë, përfshirë sindromën Twin-to-Twin Transfusion Syndrome, si dhe lindjen e vajzave binjake Ocean Jade dhe Story Monroe, të cilat janë diagnostikuar me Spinal Muscular Atrophy (SMA1).
Pamje të tjera shfaqin momentin tronditës kur Jesy dhe ish-i fejuari i saj, Zion Foster, informohen nga mjekët se kishte vetëm 5 për qind shanse që binjaket të mbijetonin deri në lindje.
Edhe pse çifti është ndarë, Zion ka shprehur publikisht mbështetjen për Jesy-n, duke e cilësuar dokumentarin si të sinqertë, të vërtetë dhe emocionalisht të fortë.
Pas diagnozës së vajzave, Jesy është angazhuar edhe në fushata ndërgjegjësuese, duke kërkuar që SMA1 të përfshihet në testet e detyrueshme për të porsalindurit.
Dokumentari pritet të sjellë jo vetëm një rrëfim të dhimbshëm mbi famën dhe heshtjen, por edhe një kapitull të ri për Jesy Nelson, e cila thotë se tani është gati të mbyllë të shkuarën dhe të ecë përpara me zërin e saj.