Këngëtarja Jade Thirlwall dhe muzikanti Jordan Stephens i kanë dhënë fund lidhjes së tyre pas gjashtë vitesh së bashku, duke vendosur të ndjekin rrugë të ndara.
Lajmi është konfirmuar nga një burim pranë ish-çiftit, i cili bëri të ditur se vendimi u mor pas diskutimeve për të ardhmen e marrëdhënies së tyre.
Ish-anëtarja e grupit “Little Mix” dhe artisti i grupit “Rizzle Kicks” nisën romancën në vitin 2020, në kulmin e pandemisë së COVID-19. Të dy u njohën përmes një miku të përbashkët, ndërsa Jade kishte treguar më herët se ishte ajo që hodhi hapin e parë, duke i dërguar Jordanit një mesazh.
Për shkak të kufizimeve të asaj periudhe, fillimi i lidhjes së tyre ishte ndryshe nga zakonisht. Takimet e para u zhvilluan përmes platformës Zoom, përpara se çifti të takohej fizikisht në ambiente të hapura, duke respektuar masat e kohës.
Sipas burimeve pranë tyre, ndarja nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi ata kishin ndërtuar një marrëdhënie serioze dhe të fortë gjatë viteve.
Megjithatë, pas reflektimeve dhe bisedave për të ardhmen, të dy arritën në përfundimin se ishte më mirë të vazhdonin jetën veçmas.
Aktualisht, Jade dhe Jordan janë të fokusuar te projektet e tyre profesionale dhe karrierat muzikore.
Spekulimet për një krizë në marrëdhënien e tyre kishin nisur prej disa muajsh, pasi fansat kishin vënë re se çifti nuk publikonte më fotografi së bashku në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime se romanca e tyre kishte marrë fund.