Aktualitet link in bio Sport

Nuk ka më dilema, Kombëtarja jonë zbret sërish në fushë në muajin mars!

Pas një viti impresionues ku Kombëtarja jonë e futbollit arriti të kualifikohej në kampionatin europian, Shqipëria rikthehet të zbres në fushë në muajin mars. Sigurisht që dihej prej kohësh tashmë se Shqipëria do të zhvillonte disa ndeshje miqësore në kuadër të përgatitjes për ´´Euro 2024, ku dhe vetë Duka ka shprehur besimin e tij tek Kombëtarja jonë për këtë kompeticion.´´ Është aluduar shumë nëpër media se kush mund të ishin kundërshtarët tanë në këto ndeshje miqësore por siç duket Federata Shqiptare e Futbollit ka rezervuar të tjera surpriza për muajin mars. Kjo për faktin se Shqipëria nuk do të luajë thjesht disa ndeshje miqësore por do të marrë pjesë në turneun miqësor ndërkombëtar të futbollit që do të zhvillohet në Algjeri, në muajin mars.

Ky turne do të jetë me katër skuadra dhe është organizuar nën kujdesin e FIFA – s. Përveç Shqipërisë dhe Algjerisë pritëse, do të marrin pjesë edhe Afrika e Jugut me Bolivinë. Kombëtarja shqiptare do të nisë përgatitjet për “Euro 2024” me këto dy miqësore në muajin mars, ndërkohë pritet që në fundin e muajit maj dhe në fillim të qershorit, të luajë edhe dy takime të tjera miqësore që ende nuk janë caktuar me cilët kundërshtarë do të luhet. Në lidhje me këtë turne, për “APS”-në është prononcuar edhe presidenti i Federatës Algjeriane të Futbollit, Velid Sadi.

“Algjeria ka pasur privilegjin të caktohet nga FIFA për të organizuar këtë edicionin e parë të këtij turneu ndërkombëtar, i cili do të organizohet nën kujdesin e organizmit ndërkombëtar. Përveç Algjerisë, në turne do të marrin pjesë edhe Bolivia, Shqipëria dhe Afrika e Jugut”, saktësoi presidenti i federatës algjeriane. Më tej Sadi zbuloi edhe datat që do të luhen ndeshjet si edhe stadiumet se ku do të luhet: “Ky turne ndërkombëtar do të luhet në datat e FIFA-s nga 18 deri më 26 mars, në mesin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Gjithashtu ky turne do të ketë praninë e anëtarëve të rëndësishëm të FIFA-s, dhe ndoshta presidentit të saj Xhani Infantino”, mbylli ai.