Kapiteni i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Christian Pulisic, ka dërguar një mesazh të fortë për rivalët përpara ndeshjes së parë të SHBA-së në Kupën e Botës kundër Paraguait, duke deklaruar se skuadra e tij është gati të sfidojë çdo kundërshtar.
Në një intervistë për Gazzetta dello Sport, ylli i Milanit u shpreh plot besim për potencialin e ekipit amerikan.
“Ne nuk kemi frikë. Ky është momenti ynë. Duam të jemi një forcë e vërtetë në këtë Kupë Bote dhe të tregojmë se mund të konkurrojmë me këdo,” tha Pulisic.
Futbollisti amerikan foli edhe për marrëdhënien e tij me mesfushorin Weston McKennie, me të cilin ka luajtur që në moshë të re.
“Jemi rritur së bashku. Tani luajmë në nivelet më të larta në Itali, unë te Milani dhe ai te Juventusi, por mbi të gjitha vazhdojmë të mbrojmë fanellën e kombëtares së bashku. Kur luan një ndeshje kaq të rëndësishme, të ndihmon të kesh pranë njerëz që i njeh që kur ishe 13 apo 14 vjeç,” u shpreh ai.
Pulisic theksoi se përvoja e fituar gjatë viteve e ka bërë më të qetë përballë presionit të një Botërori, sidomos kur turneu zhvillohet në vendin e tij.
“Atmosfera është e ngjashme me atë që përjetuam në Katar, por tani ndihem më i relaksuar. Përvoja më ka ndihmuar shumë dhe mendoj se jam një lojtar më i mirë se katër vite më parë. Kam evoluar në çdo aspekt, veçanërisht gjatë periudhës sime në Itali,” deklaroi ai.