Bota

OBSH në alarm për pasojat në shëndet të të nxehtit apokaliptik!

Drejtori rajonal për Europën i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge, shpreh shqetësimin për valën e vazhdueshme të të nxehtit në Europë. Kluge e përshkruan si “të paprecedentë, të frikshme e apokaliptike”, nisur edhe nga fakti se kjo valë e të nxehtit ka bërë që në Portugali e Spanjë të humbasin jetën 1 mijë e 700 persona.

Zyrtari i lartë i OBSH-së vlerëson se “situata përsëri tregon nevojën e dëshpëruar për veprime paneuropiane, për të trajtuar në mënyrë efektive ndryshimet klimatike, krizën gjithëpërfshirëse të kohës sonë që po kërcënon shëndetin individual dhe vetë ekzistencën e njerëzimit”.

Që kjo të ndodhë, qeveritë duhet të demonstrojnë vullnet politik dhe lidership të vërtetë në zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, duke e zëvendësuar me bashkëpunim ndarjen dhe retorikën boshe.

Kluge theksoi se zjarret, tashmë të njohura për ndikimin e tyre katastrofik në Europën Jugore, tani po ndodhin deri në veri në Skandinavi, ndërsa në kryeqytetin britanik Londër, flakët kanë shkatërruar 41 shtëpi.

Ky sezon veror përvëlues, me vështirësi ka përfunduar në gjysmë të rrugës. Ndryshimet klimatike nuk janë diçka e re. Megjithatë, pasojat po shtohen sezon pas sezoni, vit pas viti, me rezultate katastrofike.

Shefi rajonal i OBSH-së shpjegoi se ekspozimi ekstrem i nxehtësisë “shpesh përkeqëson kushtet para-ekzistuese shëndetësore”.

Goditja e nxehtësisë dhe të tjera forma serioze të hipertermisë, një temperaturë anormale e lartë e trupit, shkaktojnë vuajtje dhe vdekje të parakohshme. Individët në secilin skaj të spektrit të jetës, foshnjat dhe fëmijët, si dhe njerëzit e moshuar, janë në rrezik të posaçëm.