Aktualitet

Operacion anti-kanabis në Dukagjin, rrëzohet në humnerë efektivi!

Një efektiv i policisë së Shkodrës ra në humnerë ndërsa kryente kontrolle anti-kanabis. Ngjarja ndodhi kur po zhvillohej një operacion kundër parcelave me bimë narkotike, në zonën e Dukagjinit. Nënkomisari Rrok Frroku u rrëzua në një pjesë të thepisur në Shosh e mori lëndime të shumta në trup, por fatmirësisht është jashtë rreziku për jetën.

Nxjerrja e 54-vjeçarit nga humnera u bë e mundur pas përpjekjeve 12 orëshe të uniformave blu të Shkodrës, forcave RENEA e personelit mjekësor.

Aty nuk mund të ulej helikopteri apo të bëhej tërheqja me litarë e Frrokut, me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës, për ndihmë mjekësore.
Ekipi i urgjencës mjekësore i ka dhënë ndihmën e pare oficerit të Policisë dhe po e mban nën monitorim, së bashku me shërbimet policore, deri në mbërritjen e helikopterit, pasi transportimi i mëtejshëm nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mjekësore është i pamundur, për shkak të terrenit shumë të vështirë.

Nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i Policisë i dëmtuar, është 6 orë me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë, të punonjësit të Policisë.