Bota Film & Tv

“Oppenheimer” sukses në mbarë botën, por në Japoni nuk transmetohet!

Filmi i fundit i regjisorit britaniko-amerikan Christopher Nolan, “Oppenheimer” po korr sukses në mbarë botën, me përjashtim të Japonisë.

Në këtë shtet ende nuk ka një datë se kur do të nis transmetimi në kinema për publikun.
Filmi përshkruan krijimin e bombës atomike nga shkencëtari i Luftës së Dytë Botërore, J.Robert Oppenheimer, bomba e cila më pas u përdor për të shkatërruar Hiroshimën dhe Nagasakin në gusht të vitit 1945.

Shumica e vizitorëve japonezë në Parkun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima thonë se nuk kishin dëgjuar për filmin, i cili kurrë nuk ishte reklamuar brenda vendit apo të ketë ngjallur debate.

Po ashtu shumica e japonezëve thonë se do të shikonin filmin “Oppenheimer”, megjithëse disa shprehën rezerva se si mund të ndiheshin ata që janë prekur drejpërdrejt nga bombardimet.

“Mendoj se ndër të tjera do të ketë shumë njerëz që nuk do të duan ta shohin. Mendoj se ka shumë njerëz, si familjet e viktimave, që do të ishin kritikë dhe nuk do të ishin dakord ta shikonin”, thotë Akane Toyoda, vizitor në Parkun Përkujtimor të Paqes në Hiroshima.

“Unë mendoj se njerëzit janë ende të interesuar për filmin. Ndoshta të interesuar për perspektivën amerikane të gjithë ngjarjes. Mendoj se ndoshta mund të jetë edhe më mirë ta shfaqim filmin këtu, ndoshta edukojmë më shumë brezin e ri”, thotë Tetsuro Kato, një student japonez.

Filmi ka siguruar 174.1 milionë dollarë nga shitja e biletave në Shtetet e Bashkuara që nga 21 korriku. Në rang global nga shitja e biletave filmi “Oppenheimer” ka arritur 400 milionë dollarë fitime.