Bota

Pas diagnostikimit të Princeshës së Uellsit me kancer, Kate dhe William: Thellësisht të prekur nga mbështetja publike!

Kate Middleton dhe bashkëshorti, Princi William janë shprehur “thellësisht të prekur”, nga ngrohtësia e publikut dhe mbështetja e dhënë, pasi në një rrëfim publik tepër të ndjerë, më 22 mars, Princesha e Uellsit konfirmoi se është diagnostikuar me kancer e se prej rreth një muaji i është nënshtruar kimioterapisë parandaluese.

Pas shumë javësh spekulime në rrjetet sociale për shëndetin dhe faktin që nuk po dilte më në publik, Kate tregoi se në janar bëri një ndërhyrje kirurgjikale në pjesën abdominale dhe se u trondit thellësisht kur mjekët e njoftuan për sëmundjen. 42-vjeçarja është në fazat e hershme të parandalimit.

Princi dhe Princesha janë thellësisht të prekur nga mesazhet e ngrohta prej njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar, në Komonuelth e në gjithë botën”, thuhet në një deklaratë të publikuar prej Pallatit Kensington. Ata janë të prekur prej mbështetjes e gjithashtu mirënjohës për mirëkuptimin ndaj kërkesës së tyre për privatësi.

Mbreti i Anglisë, Charles III, presidenti amerikan Joe Biden e kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ishin mes figurave të njohura që publikisht ofruan mbështetjen e tyre për Princeshën.

Buckingham Palace konfirmoi se Charles III ka qenë në kontakt të ngushtë me Princeshën e Uellsit në javët e fundit pas daljes së saj nga spitali ku iu nënshtrua një operacioni në pjesën abdominale. Fillimisht u përjashtua se ishte prekur nga tumori, por pas ndërhyrjes kirurgjikale u konfirmua.

Mbreti dhe Mbretëresha do të vazhdojnë të ofrojnë dashurinë dhe mbështetjen e tyre për të gjithë familjen në këtë kohë të vështirë, theksoi Buckingham Palace.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden bëri të ditur se “po lutet për shërimin e plotë të Kate”-it. Në një postim në X, Biden u shpreh:

Jill dhe unë bashkohemi me miliona njerëz në mbarë botën që lutemi për shërimin tuaj të plotë, Princeshë Kate!

Kryeministri Sunak: Kate ka mbështetjen e të gjithë vendit

Princesha e Uellsit ka dashurinë dhe mbështetjen e të gjithë vendit ndërsa vazhdon procesin e rikuperimit. Ka treguar guxim të madh me deklaratën e saj.

Kryeministri Sunak kërkoi që Kate-it t’i jepet privatësia maksimale pas gjithë vëmendjes e pikëpyetjeve të mediave në javët e fundit.

Në javët e fundit, Kate u vu nën vëzhgim intensiv dhe u trajtua në mënyrë të padrejtë nga disa media botërore e në rrjetet sociale.  Kur bëhet fjalë për çështje shëndetësore, si gjithë të tjerët, asaj duhet t’i jepet privatësi për t’u fokusuar te trajtimi shëndetësor dhe të jetë me familjen e saj të dashur. E di që flas për të gjithë vendin duke i uruar një shërim të plotë dhe të shpejtë e me padurim pres ta shoh në veprim kur të jetë gati!

Kate nuk ka treguar për llojin e kancerit që ka edhe as fazën në të cilën është duke u trajtuar.