Bota

Kate Middleton zbuloi se vuan nga kanceri, Harry dhe Meghan i urojnë shëndet, shërim dhe privatësi!

Princi Harry dhe bashkëshortja Meghan reaguan pas lajmit tronditës se Kate po trajtohet për sëmundjen e kancerit dhe i urojnë shëndet e shërim princeshës së Uellsit. Në një mesazh të shkurtër të Dukës e Dukeshës së Sussex-it, dikur shumë të afërt me Kate-in e bashkëshortin William, thuhet:

I urojmë shëndet e shërim Kate-it dhe familjes! Shpresojmë që kjo të kalojë duke respektuar privatësinë dhe në paqe!

Mesazhi i çiftit Harry dhe Meghan pasoi atë të mbretit Charles III. Monarku britanik tha se ai ishte “shumë krenar për Catherine, në veçanti për guximin e saj për të folur ashtu siç foli” dhe mbetet në “kontakt të ngushtë” me gruan e djalit të tij, William.

Buckingham Palace konfirmoi se Charles III ka qenë në kontakt të ngushtë me Princeshën e Uellsit në javët e fundit pas daljes së saj nga spitali ku iu nënshtrua një operacioni në pjesën abdominale. Fillimisht u përjashtua se ishte prekur nga tumori, por pas ndërhyrjes kirurgjikale u konfirmua, edhe pse nuk jepen detaje se ku. Dihet vetëm se prej fundit të muajit shkurt, Kate vijon “kemioterapinë parandaluese”.

Mbreti dhe Mbretëresha do të vazhdojnë të ofrojnë dashurinë dhe mbështetjen e tyre për të gjithë familjen në këtë kohë të vështirë, theksoi Buckingham Palace.

Kryeministri britanik Rishi Sunak: Kate ka mbështetjen e të gjithë vendit

Lajmi për sëmundjen e Kate Middleton tronditi botën e shkaktoi reagime edhe nga shumë liderë politikë. Mes tyre, ai i kryeministrit britanik Rishi Sunak:

Princesha e Uellsit ka dashurinë dhe mbështetjen e të gjithë vendit ndërsa vazhdon procesin e rikuperimit. Ka treguar guxim të madh me deklaratën e saj.

Kryeministri Sunak kërkoi që Kate-it t’i jepet privatësia maksimale pas gjithë vëmendjes e pikëpyetjeve të mediave në javët e fundit.

Sunak shtoi:

Në javët e fundit, Kate u vu nën vëzhgim intensiv dhe u trajtua në mënyrë të padrejtë nga disa media botërore e në rrjetet sociale.  Kur bëhet fjalë për çështje shëndetësore, si gjithë të tjerët, asaj duhet t’i jepet privatësi për t’u fokusuar te trajtimi shëndetësor dhe të jetë me familjen e saj të dashur. E di që flas për të gjithë vendin duke i uruar një shërim të plotë dhe të shpejtë e me padurim pres ta shoh në veprim kur të jetë gati!

Presidenti amerikan, Joe Biden: Lutem për shërimin e plotë të Kate-it!

Shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden ka bërë të ditur se “po lutet për shërimin e plotë të Kate”-it. Në një postim në X, Biden u shpreh:

Jill dhe unë bashkohemi me miliona njerëz në mbarë botën që lutemi për shërimin tuaj të plotë, Princeshë Kate!