Rajoni

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Albin Kurti sulmon Beogradin e fton serbët!

Sot pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dolën në një konferencë për media. Kurti deklaroi se “Serbia kërcënon me luftë dhe kthim të trupave ushtarake në Kosovë, pas 23 viteve luftë”.

Beogradi zyrtar sot po flet e sillet sikurse para 23 vitesh e duke u drejtuar nga një kastë e njëjtë politikanësh, si Vuçiç, ish-ministri i Propagandës së Millosheviçit dhe Daçiç, ish-zëdhënës i Millosheviçit. Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dhe e pranoi kapitullimin në Kumanovë në qershor 1999. Veprimet e Serbisë përbëjnë kërcënime të vazhdueshme. Paqja në Kosovë erdhi pas luftës sonë dhe ndihmës së aleancës, pas një regjimi gjenocidial. Paketa Ahtisaari ofroi të drejta të papara për serbët lokalë. Por, integrimi i veriut nuk ndodhi as pas 15 vjetësh pas pavarësisë dhe bisedimeve që dhjetë vjet. Me kriminelë si Radojçiçi e Veselinoviçi,  blihej paqja në veri. E thënë më butë, këto grupe kriminale të drejtuara prej tyre, quheshin struktura ilegale.

Duke rikujtuar se për gjithë këto vite, në veri të Kosovës kanë funksionuar struktura paralele, kanë qarkulluar makina me targa ilegale, punohet me dinarin serb, nuk paguhet energjia elektrike e shumë të tjera, Kurti tha se “kjo situatë nuk është e pranueshme”.

Ne jemi një qeveri demokratike. Qeveria e Kosovës është  e interesuar për bashkëpunim me serbët e Kosovës. Ne jemi qeveria më demokratike e progresiste në rajon. Ftoj komunitetin serb të marrë përgjegjësitë sipas Kushtetutës e të ulet pranë në Kuvend e Qeveri, që vendimet t’i marrim bashkë. Fatkeqësisht, Serbia përmes grupeve kriminale, ka mbajtur e po mban peng  qytetarët e Kosovës.  Duam të veprojmë me kujdes dhe këtë e kemi dëshmuar gjatë tërë kohës.

Më herët, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç bëri thirrje për qetësi dhe durim. Në një postim në Twitter shkruan:

Të gjitha protestat duhet të jenë paqësore dhe demokratike. Ne duhet të mbrojmë gjënë e vetme më të rëndësishme për të gjithë: paqen. Atë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e percepton si kërcënim janë thirrjet tona të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet, dialog të hapur e të ndershëm, respektim dhe zbatim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Pas Shteteve të Bashkuara, sulmin e mbrëmshëm ndaj EULEX-it në veri të Kosovës e dënuan edhe Gjermania e Italia. Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde:

EULEX-i kontribuon në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët. Dhuna kundër EULEX-it e të gjithë atyre që garantojnë siguri duhet të ndalet tani!

Ambasada e Italisë në Kosovë:

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare, si EULEX, nuk kanë asnjë justifikim. Ne i dënojmë këto veprime në mënyrën më të ashpër!