Zgjati mbi një orë protesta kombëtare e opozitës te Kryeministria dhe që u mbyll me fjalën 20 minutëshe të Berishës:
Edi Rama po përpiqet në grahmat e fundit që t’i japë goditje fatale pluralizmit, por ne jemi këtu për t’u betuar se revolucioni ynë do fshijë nga faqja e dheut këdo që guxon të luajë me pluralizmin e lirinë e shqiptarëve!
Koha është e misionarëve, e atyre djemve dhe vajzave, të rinjve e të rejave, burrave dhe grave që qëndrojnë në këmbë mbi kohën, të pamposhtur, drejt të ardhmes. Historinë e kemi pasur të mbushur me pushtime, dhimbje dhe vuajtje, por nuk jemi nënshtruar kurrë.
Kemi triumfuar në të gjitha beteja tona për liri. Do të triumfojmë edhe në këtë betejë si misionarë të revolucionit demokratik. Kjo kërkon të bashkohemi, të bashkohemi, të bashkohemi! Historia na mëson se sa herë që shqiptarët janë bashkuar, kanë bërë mrekullitë e tyre. Le të bëjmë edhe ne mrekullinë tonë, të shndërrojmë vitin 2023 në vitin e mrekullisë shqiptare.
Berisha akuzoi Ramën se po kërkon të asgjësojë PD-në.
Mendon e beson se do ta përjashtojë nga zgjedhjet. Edi Rama ne jemi këtu sa të jetë toka, s’lëzivim kurrë! Revolucioni ynë ka misionin e madh të demokracisë, lirisë, shpëtimit të Shqipërisë e shqiptarëve.
Në përfundim të protestës u rikthye në Selinë Blu, beteja për drejtimin e së cilës sot është zhvendosur në Apel. Në një seancë që zgjat prej orës 11:00, kjo gjykatë duhet të vendosë për vulën dhe logon e PD-së. Teksa i drejtohej zyrës, Berisha shmangu çdo koment për atë që po ndodh sot në Gjykatën e Apelit.
Protesta tejkaloi çdo parashikim. Edhe njëherë mirënjohje shumë të thellë për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që lanë çdo gjë dhe mbushën në orën 12:00 bulevardin, si kurrë ndonjëherë. E kam thënë, nuk kam ndërmend të bëj asnjë diskutim paraprak për gjykatën.