Rajoni

Përplasje të dhunshme në Beograd, policë të plagosur e 35 të arrestuar!

Përleshje të dhunshme në Beograd,  të paktën 35 të arrestuar për sulm ndaj institucioneve dhe disa policë të plagosur, dy në gjendje të rëndë. Efektivët u goditën me gurë e sende të tjera.  Për të shtatën ditë radhazi, grupi kryesor i opozitës “Serbia kundër dhunës”, organizoi një manifestim antiqeveritar për të denoncuar mashtrimet e pretenduara në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Por, tubimi degjeneroi në një protestë të dhunshme, me mijëra demonstrues që iu drejtuan godinës së Bashkisë së Beogradit për ta sulmuar. Në disa raste, shumë persona u përpoqën të kalonin rrethimet e të hynin me forcë në ndërtesë, ndërsa u përballën me ndërhyrjen policore.

Kundër protestuesve të dhunshëm që hodhën vezë, shishe plastike, domate e sende të tjera, policia përdori gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë grupet e trazirave.

Disa dyer e dritare u shkatërruan.

Në fund, forcat policore arritën të krijojnë një kordon përreth bashkisë, duke i shtyrë demonstruesit përsëri në rrugët anësore dhe drejt sheshit Slavija.

Siç njoftoi në mbrëmje, presidenti Aleksander Vuçiç, i cili thirri një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të paktën 35 demonstrues të dhunshëm u arrestuan me akuzën e përpjekjes për të sulmuar institucionet.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Beogradit në largim, Aleksandar Sapiç, ajo që ndodhi dje në mbrëmje në kryeqytetin serb mund të krahasohet me kryengritjen e Maidanit në Kiev, e që filloi me protestat antiqeveritare të fillimit të 2014-ës në sheshin qendror të kryeqytetit ukrainas.

Për kryebashkiakun Sapiç, ndodhën ngjarje të jashtëzakonshme të gravitetit ekstrem, duke pasur si objektiv sulmin e dhunshëm ndaj zyrave.

Nga ana e tij, presidenti Vuçiç paralajmëroi reagimin e ashpër të institucioneve ndaj atyre që planifikojnë dhe vënë në praktikë sjelljet e dhunshme.

Asnjë nga ata që janë përgjegjës nuk do t’i shpëtojë drejtësisë e dënimit legjitim.