Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, protesta zhvendoset para Parlamentit!

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në orën 10:00, me një rend dite të ngarkuar që përfshin raportimin e shtatë institucioneve kushtetuese, interpelancë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe shqyrtimin e një sërë projektligjesh e projektvendimesh.

Në rendin e ditës janë parashikuar raportet vjetore për vitin 2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Avokatit të Popullit dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD).

Po ashtu, deputetët do të zhvillojnë një interpelancë me ministrin Enea Karakaçi, të kërkuar nga deputeti Blendi Himçi, lidhur me vonesat në realizimin e bypass-it të Elbasanit. Në vijim janë parashikuar dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin me deputetët Bujar Leskaj dhe Erald Kapri.

Ndër çështjet më të rëndësishme që pritet të shqyrtohen është projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për turizmin”. Nisma synon të ndalojë ndërtimet gjatë sezonit turistik në zonat turistike, me qëllim eliminimin e zhurmave dhe shqetësimeve për pushuesit, si dhe të heqë barrierat që pengojnë ose kufizojnë aksesin e lirë të qytetarëve drejt vijës bregdetare.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit pritet të zhvillohet një tjetër protestë. Organizatorët kanë njoftuar se tubimi i radhës do të zhvendoset nga Kryeministria përpara Parlamentit, gjatë kohës që zhvillohen punimet parlamentare.

Protesta vjen pas 53 tubimeve të njëpasnjëshme para godinës së Kryeministrisë. Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje sa më të gjerë, duke deklaruar se synimi i protestës është kërkesa për largimin e klasës aktuale politike.

Seanca e sotme pritet të zhvillohet me debate të forta politike edhe brenda sallës së Parlamentit, duke qenë se në rend dite janë përfshirë çështje me rëndësi institucionale dhe projektligje që kanë ngjallur diskutime mes maxhorancës dhe opozitës.

Në tubimet e kaluara nuk kanë munguar incidentet e gjuajtjes me vezë ndaj deputetëve dhe përplasjet me policinë.

Rendi i ditës:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.7.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 20.7.2026.

2. Njoftime.

3. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.

4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.

5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”.

6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025″.

7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.

8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”.

9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025″.

10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.

12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri. 13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026″ 14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturorturistik me përmasa ndërkombëtare”.

15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.

16. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.

17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”.

18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”. 19. Projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”.

20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.

21. Projektligji “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

22. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, “Për turizmin”, i ndryshuar”. 23. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, “Кodi Detar Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

24. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”.

25. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”.

26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”

27. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar”.

28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

29. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Рër Policinë e Shtetit”.

30. Projektvendim “Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik”.

31. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”. 32. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”. 33. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”. 34. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.