“Plani Rama” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Prishtina zyrtare thotë se nga Shqipëria presin mbështetje, ndërsa ndërmjetësues kanë shumë. Ky është reagimi nga zyra e kryeministrit Albin Kurti lidhur me drafin-marrëveshjen e propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe që iu dorëzua presidentit të Francës, Emmanuel Macron e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz.
Në një reagim për Top Channel, zyra e shefit të qeverisë, Kurti thekson se çështja e marrëveshjeve të mëparshme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në veri është një çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Në reagim thuhet:
Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj.
Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiçit e që synonte një Republika Srbska në Kosovë dhe së fundmi me non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë, që flet për “Botën Serbe”.
Në të dy rastet, në pyetje është Kosova. Në të dy rastet, rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë.
Në lidhje me dokumentin dërguar Macronit e Scholzit, kryeministri Rama vuri në dukje se është konfidencial. Për të nuk pretendon që të jetë zgjidhja ideale, por në daljen për mediat të dy ditëve më parë, e përshkroi si “një dokument të nivelit më të lartë ndërkombëtar” e që në konsideratë merr të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën.