Bota Celebrities

Pretendimet për abuzime seksuale, dy padi ndaj kompanive të Michael Jackson-it!

Dy shtetas amerikanë që akuzuan mbretin e popit, Michael Jackson se i abuzoi seksualisht në fëmijëri,  mund të rinisin paditë e tyre kundër kompanive në pronësi të këngëtarit të famshëm që ndërroi jetë në vitin 2009. Kështu ka vendosur një gjykatë Apeli në Kaliforni, siç raporton “The Neë York Times”.

Wade Robson 40-vjeç e James Safechuck, 45 thanë se Jackson abuzoi me ta për vite me radhë dhe se punonjësit e kompanive Mjj Productions dhe Mjj Ventures patën vepruar si bashkëpunëtorë, miq intimë e të besuar, “alter ego” në këto abuzime.

Në padi pretendohet se punonjësit e kompanive kishin një “detyrë kujdesi” ndaj djemve dhe se “nuk kishin marrë masa për të parandaluar abuzimet”.

Kujtojmë se historitë e Robson-it dhe Safechuck-ut u shfaqën në dokumentarin e HBO-së të vitit 2019 “Leaving Neverland” e ku ata të dy akuzuan Jackson-in se i ngacmonte dhe krijonte marrëdhënie me familjet e tyre për të patur kontakt fizik me të miturit.

Robson dhe Safechuck ngritën padi kundër kompanive në vitet 2013 e 2014, por në të dyja rastet u hodhën poshtë në vitin 2017, pasi ato e kishin tejkaluar statutin e kufizimeve të Kalifornisë.

Çështjet u rihapën në vitin 2020, pasi një ligj i ri iu mundëson kohë shtesë për të ngritur padi, në rastet e abuzimit seksual të fëmijëve.

Në tetor të 2020-ës e në prill të vitit 2021, paditë u pushuan përsëri kur një gjykatës i Gjykatës së Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit vendosi se dy kompanitë dhe punonjësit e tyre nuk ishin të detyruar ligjërisht t’i mbronin paditësit nga Jackson.

Por, tani është Gjykata e Apelit e Qarkut të Kalifornisë që vendosi se “një kompani që lehtëson abuzimin seksual të fëmijëve nga një prej punonjësve të saj nuk përjashtohet nga detyra për t’i mbrojtur ata fëmijë, thjesht sepse është pronë ekskluzive e autorit të abuzimit”.

Për këtë arsye, çështjet do të rihapen në gjykatë e mbetet të shihet përfundimi i kësaj beteje ligjore.