Tech

Projekti i tij “Starlink” në hapësirë shqetësoi Kinën, reagon Elon Musk!

Pronari i kompanisë SpaceX, Elon Musk së fundmi ka hedhur poshtë pretendimet se projekti i tij satelitor ‘Starlink’, është duke zënë shumë vend në hapësirë. Ai ka thënë se “Dhjetëra miliarda” satelitë mund të vendosen në orbita afër Tokës. Komentet e tij vijnë pas pretendimit të Josef Aschbacher, udhëheqësit të Agjencisë Evropiane të Hapësirës se Musk është duke “krijuar rregullat” për industrinë komerciale në hapësirë.

Këtë javë Kina është ankuar se stacioni i saj hapësinor është detyruar të shmangë përplasjet me satelitët e Starlink. Në ankesë është thënë se incidentet kanë rrezikuar jetën dhe shëndetin e astronautëve në stacionin hapësinor të Kinës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian u shpreh se:

Shtetet e Bashkuara injorojnë obligimet që kanë nën traktatet ndërkombëtare, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e astronautëve tanë.

Musk ka reaguar duke thënë në një intervistë se:

Hapësira është jashtëzakonisht e madhe dhe satelitët janë shumë të vegjël.

Musk nuk e ka pranuar as sugjerimin se projekti i tij për shërbime të internetit në hapësirë është duke penguar hyrjen e konkurrentëve në industrinë satelitore, duke thënë se ka vend për të gjithë.

Nuk jemi në një situatë që të bllokojmë të tjerët. Ne nuk po bllokojmë askënd dhe as nuk po pretendojmë të veprojmë ashtu. Mijëra satelitë nuk janë asgjë. Janë sikurse disa mijëra makina në Tokë.

Rikujtojmë, se SpaceX ka lançuar rreth 1 900 satelitë në hapësirë, në kuadër të projektit ‘Starlink’ dhe planifikon të nisë edhe mijëra tjerë në të ardhmen. Ndërkaq, miliarderi Elon Musk, themeluesi i Teslas, është shpallur “Njeriu i Vitit” nga prestigjiozja “Time”. Brenda një viti, Musk ka arritur të kalojë Jeff Bezos në garën hapësinore, duke u bërë njeriu më i pasur në botë.