Bota

Prokuroria suedeze ngre aktakuzë ndaj aktivistes Greta Thunberg!

Prokurorët suedezë ngritën aktakuzë ndaj aktivistes së njohur për klimën Greta Thunberg për mosbindje ndaj zbatimit të ligjit në lidhje me një protestë në qytetin e Malmos, muajin e kaluar. Një ditë më parë, gazeta  Sydsvenskan raportoi se Thunberg u arrestua me të tjerë aktivistë, pasi ndaluan trafikun në terminalin e naftës në portin e Malmos, më 19 qershor.

U akuzua për mosbindje pasi refuzoi të zbatonte urdhrat e policisë për t’u larguar nga vendi i ngjarjes gjatë protestës.

Deklarata zyrtare e Prokurorisë nuk e identifikoi me emër, por zëdhënësja e Prokurorisë Suedeze, Annika Collin konfirmoi se ishte Greta Thunberg.

Sydsvenskan deklaroi se aktivistja 20-vjeçare suedeze do të thirret në gjyq në fund të këtij muaji. Një prokurore suedeze i tha gazetës se akuza e mosbindjes zakonisht dënohet me gjoba.

Zyra e shtypit e Thunberg-ut nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Greta Thunberg frymëzoi një lëvizje globale rinore që kërkon përpjekje më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike pas organizimit të protestave javore jashtë Parlamentit suedez duke filluar nga viti 2018.

Në fillim të këtij viti, aktivistja u arrestua nga policia e Gjermanisë teksa po merrte pjesë në një protestë kundër prishjes së planifikuar të një fshati, për t’i hapur rrugë zgjerimit të një miniere të qymyrit.

Ndërkaq, para se të lirohej të nesërmen, u arrestua teksa po protestonte pranë minierës së qymyrit Gazveiler 2, që gjendet rreth 9 kilometra nga fshati Lytzerat. Me një grup protestuesish ishte ulur pranë skajit të minierës.

Fshati është në pronësi të kompanisë së energjisë RWE pasi banorët e braktisën dhe u bë fshati i fundit që do të shkatërrohet për shkak të zgjerimit të minierës.

Reuters pati raportuar se dëshmitarët panë Thunbergun në një autobus të madh të policisë, pas arrestimit. Policia kishte paralajmëruar aktivistët se do të përdorte forcën nëse ata nuk do të bashkëpunonin që të identifikoheshin.