Aktualitet

Publikohet teza e testit të Gjuhë-Letërsisë në Maturën Shtetërore, reagon ministrja Kushi!

Edhe teza e testit të Maturës Shtetërore për Gjuhë Letërsinë, nuk i  shpëtoi publikimit në rrjetet sociale. Kjo ndodhi vetëm pak minuta pasi maturantët hynë në provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, i dyti i Maturës. Provimi nisi në orën 10:00 e zgjati deri në mesditë.

Sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit janë 30 mijë maturantë mbarë vendin. Për herë të parë u hartuan teste të veçanta për rreth 170 nxënës me aftësi ndryshe.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Evis Kushi reagoi pas publikimit të testit të Maturës Shtetërore për Gjuhë Letërsinë, vetëm pak minuta pasi maturantët hynë në provim.

Në fjalën e mbajtur gjatë një aktiviteti, Kushi garantoi se tezat nuk janë futur në provim për të favorizuar emra të përveçëm. E keqardhur nga rasti kronik, ministrja vuri në dukje se ka persona të caktuar që investohen për daljen e tezës, pasi një gjë e tillë është duke ndodhur vit për vit.

Garantojmë që nuk ka asnjë element që të dyshojmë që teza të zgjidhura jashtë kanë hyrë brenda dhe kanë favorizuar një apo dy maturantë, për këtë ne japim garanci.

Nuk na vjen mirë që del testi. Dyshimi ynë është që ka njerëz që janë të investuar posaçërisht për këtë qëllim sepse janë gjithnjë të njëjtët që nxjerrin testin dhe nuk bashkëpunojmë me ne, për të identifikuar personat që kanë shkelur rregulloren.