Sot provimi i radhës i Maturës Shtetërore, i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Pas mbledhjes së fillimjavës me 52 zyrat vendore të arsimit, drejtoritë rajonale dhe Komitetin e Organizimit të Maturës Shtetërore, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi se ka përfunduar procesi i hartimit të tezës dhe ka nisur shpërndarja e materialeve të provimit në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe Policinë e Shtetit.
Ka mbaruar tashmë procesi i hartimit të tezës dhe ka filluar shpërndarja e kutive në një bashkëpunim të plotë me Postën Shqiptare dhe Policinë e Shtetit, për t’u bërë gati për provimin e radhës.
Kumbaro falënderoi anëtarët e grupit të hartimit të tezës, të cilët kanë punuar të izoluar prej ditësh për përgatitjen e testit.
Ministrja theksoi se është e rëndësishme që edhe ky provim të zhvillohet me të njëjtat standarde si i javës së kaluar, duke kujtuar se respektimi i rregullave mbetet i panegociueshëm.
Penalitetet do të jenë të rrepta, teksa bëri të ditur se dy maturantë u përjashtuan nga sezoni i provimeve pasi u kapën me telefon celular gjatë provimit të parë.
Duhet që askush të mos e bëjë këtë eksperiment, sepse pasojat do të jenë të rënda. Do të ketë pasoja jo vetëm për nxënësit, por edhe për administratorët.