Celebrities Health & Beauty Live From Tirana Sport

Sa i rëndësishëm është sporti për fëmijët dhe jo vetëm/Deborah Keçi flet në TAR!

Sot e ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte Deborah Keçi, punonjëse në Bashkinë e Tiranës në Drejtorinë e sporteve. Si ka nisur pasioni i sportit për Deborah dhe sa i rëndësishëm është aktiviteti fizik në jetën tonë?

Mua sporti më ka bërë të lumtur që në vogëli dhe kjo është një vazhdimësi i një stili jetese të induktuar nga prindërit e mi. Unë e kam pjesë të përditshmërisë time, shkarkoj energji dhe rimbushem me energji. Kur flasim për sport njerëzit mendojnë një aktivitet për t’u dukur, e mira është të ndjehesh mirë. Për mua mirëqenia psikologjike është më e rëndësishme se ajo fizike. Të dukesh bukur padiskutim që është e rëndësishme sidomos tani që vjen vera. Përsa kohë njerëzit bëjnë aktivitet fizik, në palestër apo në natyrë ka pak rëndësi, e rëndësishme është që në një orë të ditës t’ia kushtojnë aktivitetit fizik. Unë kam qenë notare, më pëlqen që edhe pse e lash notin i jam adresuar garave në natyrë, maratonave ku ndërthuret sporti me pamjen e bukur dhe që zgjedh të mos mbyllem në një dhomë të izoluar si palestra. Nëse ti e nis diçka për t’u dukur bukur fitnesi të ndihmon për ta skalitur trupin me format që ti do. Për njerëzit që e shijojnë sfidën, aventurën dhe kanë shpirtin e garimit do zgjedhin këtë gjënë tjetër. Unë bëj pjesë te njerëzit që sportin do ta shijojë dhe jo të duket thjesht bukur.

Sa të ndihmon sporti që në fëmijëri?

Gjithmonë kam besuar te fuqia e sportit që ka për të ndërtuar karakterin e individëve, kam lobuar fort që prindërit t’i angazhojnë fëmijët me sport sepse edhe në familjen time mami ka qenë gjithë kohës duke thënë ‘shiko shkollën’ e ndërsa babi ishte më fans i sportit dhe përgjithësisht pjesa më e madhe e prindërve sot anojnë nga ana e mamit tim sepse i japin fokus shkollës. Edhe pse kam studiuar në shkolla të mira kam besuar se atë që më ka mësuar sporti, nuk ma ka mësuar shkolla. Ajo që më ka ngelur dhe ka vlerë është karakteri që unë kam dhe është rrjedhojë e asaj që më ka mësuar sporti. Çdo fëmijë që merret me sport do t’i ndihmojë ata të çajnë në cdo gjë dhe të jenë të disiplinuar. Ata që e kanë stërvitjen pjesë të pandashme kanë disiplinë dhe disiplina është ajo që të duhet në jetë. Fëmija mëson si të humbi por më e rendësishme të jetë me këmbë në tokë, kur fiton dhe kur humb. Shumica e projekteve bëhen në grup dhe një person sado i mirë të jetë, kur nuk di të kordinohesh, apo të bashkëpunosh me të tjerët ka gjasa që projekti të dështojë. Një fëmijë që është rritur me sport i ka këto tipare, di të bashkëpunojë dhe e di se fitorja arrihet në grup. Edhe nëse nuk bëhet profesionist në sport, në profesionin tjetër që do të ketë, nëse është rritur me sport do të jetë më i mirë në profesionin e tij, do të jetë një qytetar i devotshëm dhe i shëndetshëm.