Aktualitet

Sali Berisha e familjarët shpallen “non grata” nga DASH!

Sali Berisha dhe familjarët e ish-kryeministrit shpallen “non-grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Lajmi bëhet i ditur nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili në një mesazh në Twitter shkruan:

Akte korrupsioni të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri!

Në një deklaratë të publikuar nga Departamenti i Shtetit, Blinken thotë:

Sot, po shpall përcaktimin publik të shtetasit shqiptar Sali Berisha, ish-President i Shqipërisë, ish-Kryeministër i Shqipërisë dhe ish-anëtar i Parlamentit të Shqipërisë për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm. Në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ka qenë i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime vetiake dhe për të pasuruar aleatët politikë dhe anëtarët e familjes në kurriz të besimit të publikut shqiptar tek institucionet qeverisëse dhe zyrtarët publikë.

Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët politikë, në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjet antikorrupsion dhe masat e përgjegjshmërisë. Me këtë përcaktim, unë rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë!

Sipas deklaratës, “Ky përcaktim bëhet në bazë të Rregullores 7031 (c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme dhe Programet Përkatëse të Financimeve, 2021”.

Përveç Berishës, përcaktoj publikisht bashkëshorten e tij, Liri Berisha, djalin e tij, Shkëlzen Berisha dhe vajzën Argita Berisha Malltezi. Këta individë nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara!

Ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-ve për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të Shqipërisë! Departamenti do të vazhdojë të përdorë kompetenca si kjo për të nxitur kërkesën e llogarisë ndaj aktorëve të korruptuar në këtë rajon dhe globalisht!

Nga maxhoranca, reagoi Taulant Balla lidhur me shpalljen “non grata” të Berishës duke e cilësuar “ditë të bukur për demokracinë shqiptare”. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i grupit socialist shkruan:

Përshëndes vendimin e Shteteve të Bashkura të Amerikës ndaj Sali Berishës: Aktet e korruptuara të ish-Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Po e shpall Berishën dhe anëtarët e afërt të familjes së tij si të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi #tëbashkuarkundërkorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri!