Bota

Sfidon Irani, synon të instalojë centrifuga “të reja e të përparuara”!

Irani njofton se do të fillojë instalimin e një numri centrifugash “të reja dhe të zhvilluara”, si përgjigje ndaj një rezolute të miratuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Bërthamore (IAEA). Dokumenti kritikon Republikën Islamike për atë që e quan “bashkëpunim të dobët” e thekson se “është thelbësore dhe urgjente” për Teheranin që të “veprojë për të përmbushur detyrimet e veta ligjore”.

Rezoluta u miratua një ditë më parë, pak pasi shefi i IAEA-s, Rafael Grossi vizitoi Iranin.

Ministria e Jashtme iraniane, si dhe Organizata për Energjinë Atomike dolën me një komunikatë të përbashkët ku thuhet se numri një i kësaj organizate, Mohammad Eslami “dha urdhër për të ndërmarrë masa efektive, duke përfshirë nisjen e një serie të rëndësishme të centrifugave të reja e të zhvilluara, të llojeve të ndryshme”.

Rezoluta e IAEA-s, e propozuar nga Franca, Gjermania e Britania e Madhe, si dhe e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vjen në një moment kritik kur presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, po përgatitet që të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025.

Gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Trump ndërmori një fushatë “presioni maksimal” me sanksione të intensifikuara ndaj Iranit e më 2018-ën i tërhoqi njëanshmërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga një marrëveshje historike e vitit 2015. Ky akord pati hequr disa sanksione ndaj Iranit, në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor, për të cilin Perëndimi dyshon se synon zhvillimin e një arme bërthamore.

Irani pretendon se programi i tij bërthamor është paqësor. Rezoluta e djeshme, po ashtu i bën thirrje Iranit të bashkëpunojë me një hetim të nisur pas gjetjes së grimcave të uraniumit në dy vende e që autoritetet iraniane nuk i kishin deklaruar si bërthamore.

Gjatë vizitës së Grossi-t, Republika Islamike ra dakord me kërkesën e IAEA-s për të kufizuar sasinë e uraniumit të pasuruar deri në 60%. Për armë bërthamore, kërkohet uranium i pasuruar në nivelin 90%. Por ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, i cili ishte kryenegociatori i Teheranit për marrëveshjen e vitit 2015, paralajmëroi se vendi i tij nuk do të negociojë “nën presion”.