Prej tre ditësh, dozën e parë të vaksinës së “AstraZeneca”-s vazhdojnë ta marrin mësues e pedagogë në Tiranë dhe të tjera qytete të vendit ku procesi nisi të shtrihej nga dje. Pavarësisht shqetësimeve nga shtete të veçanta, kryesisht në Evropë, deri tani nuk raportohen refuzime nga ana e tyre.
Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Medikamenteve nuk tërhiqen nga sugjerimi që vaksinimi të vazhdojë e rikonfirmojnë garancitë se “AstraZeneca” është e sigurtë dhe efektive.
Çështja diskutohet sot nga OBSH-ja e të enjten nga Agjencia Europiane e Medikamenteve. Rikujtojmë, se vazhdon të rritet ndjeshëm numri i vendeve që pezullojnë vaksinën anti-COVID të “AstraZeneca”-s, shumica janë në Evropë.
Ndërkaq, ditën e djeshme Ugur Sahin, drejtori ekzekutiv i kompanisë “BioNtech” që krijoi së bashku me “Pfizer” vaksinën e parë kundër COVID-19, ka reguar duke thënë se: “Virusi SARS-Cov-2 nuk është pandemia më e keqe e mundshme”.