Drejtoresha Kombëtare për Afganistanin i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara së fundmi ka dhënë alarmin duke shprehur se:
Bota të mobilizohet tani ose do të jetë vonë. Me marrjen nën kontroll të talebanëve, Afganistani do të përballet me katastrofë të plotë humanitare, me uri të përhapur, njerëz të pastrehë dhe kolaps ekonomik nëse nuk arrihet një përpjekje urgjente humanitare pas tërheqjes së SHBA nga vendi.
Është ky alarmi i dhënë nga drejtoresha kombëtare për Afganistanin e Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara, Mary-Ellen McGroarty, drejtuar liderëve botërorë.
Ne duhet të sjellim furnizime në vend, jo vetëm në aspektin e ushqimit, por edhe furnizime mjekësore, strehimore. Ne kemi nevojë për para dhe na duhen tani.
McGroarty theksoi se nëse vonohemi për gjashtë apo shtatë javët e ardhshme, do të jetë shumë vonë.
Njerëzit nuk kanë asgjë. Ne duhet ta marrim ushqimin tani dhe t’ua çojmë komuniteteve krahinore para se rrugët të bllokohen nga bora.
Zyrtarja e OKB -së kujtoi gjithashtu se një në tre afganë ishte tashmë në një krizë urie, me mbi dy milionë fëmijë në rrezik të kequshqyerjes. Thatësira tashmë kishte çuar në një reduktim prej 40% të prodhimit të drithërave, ndërsa monedha afgane tashmë ishte në kolaps. Dhe normat e COVID-19 janë të larta gjithashtu.
Ndërkaq, ju rikujtojmë se mijëra afganë janë në radhë para portave në përpjekje të dëshpëruar për të ikur nga vendi pasi talebanët erdhën në pushtet më 15 gusht. Biden ka deklaruar se SHBA kishte evakuuar gati 28,000 njerëz nga aeroporti javën e kaluar.