Aktualitet

Situata në veri të Kosovës, Rama: Ja përse duhet “Ballkani i Hapur”!

Për kryeministrin Rama, situata ai ajo e djeshmja në veri të Kosovës, tregojnë pse duhet “Ballkani i Hapur” e se përse Kosova duhet të vijë e të ulet në tryezën e nismës. Nga konferenca me homologun spanjoll, Pedro Sanchez, i cili me Tiranën mbyll turin e vizitave rajonale, Rama shprehu mbështetje të plotë për qeverinë e Kosovës në synimet për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e dokumentet e identifikimit. Më tej, theksoi se “këto situata nuk tregojnë që “Ballkani i Hapur” është i panevojshëm apo i gabuar”.

Këto situata nuk tregojnë se qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, dialogut, ndërtimit të paqes është e panevojshme apo është e gabuar. Këto situata tregojnë pikërisht pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet “Ballkani i Hapur” dhe pse “Kosova duhet të vijë e të ulet në tryezën e “Ballkanit të Hapur”.

Kur vjen puna që gjërat shkojnë në thikë, ka dy rrugë:

Njëra është rruga e kthimit mbrapa dhe e luftës, nga e cila këtu nuk fiton askush sepse nuk ka asgjë për të ndarë. Kosova është një vend i pavarur, sovran, demokratik dhe kaq. Rruga tjetër është ndërtimi i paqes. Njëra rrugë është të ndalojmë trashëgiminë brez pas brezi të konfliktit, rruga tjetër është të trashëgojmë konfliktin.

Na duhet të punojmë me shumë këmbëngulje për të ndërtuar rrugë ndërveprimesh që na japin mundësinë të kuptojmë se nuk jemi dy palë qeniesh, ca njerëz dhe ca alienë, por jemi të gjithë njerëz e të gjithë së bashku kemi detyrimin që fëmijëve tanë t’u lëmë një hapësirë paqeje, jo një zonë të mbjellë me mina.

Me presidentin e Serbisë, marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar dhe nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Eshtë shumë kollaj të rrish ulur në Tiranë me ajër të kondicionuar, me mikrofon dhe të thuash se kjo gjë ndahet vetëm me luftë, por kur vjen puna që atë mikrofonin ta zëvendësosh me pushkën e në vend që të kesh dialog e pyetje-përgjigje, të kesh bomba e shkatërrime, ndryshon.