Bota Botë e Çuditshme

Situatë alarmuese, kontinenti afrikan nuk do të ketë më akullnaja?!

Akullnajat e Afrikës do të zhduken plotësisht brenda dy dekadave. Ky lajm tejet shqetësues për ekuilibrat natyrale dhe jo vetëm të kontinentit vjen nga një raport i Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO). Akullnajat e fundit në Afrikë ndodhen në malet Kilimanjaro, Kenya dhe Rwenzori.

Në Kilimanjaro, mali më i lartë i kontinentit, akullnaja Furtwangel është tkurrur me 70% nga viti 2014, ai i malit Rwenzori ka humbur rreth 90% të dimensioneve të vrojtuara në fillim të shekullit të 20-të, përqindje e njëjtë edhe për akullnajat e malit Kenya.

Mungesa e akullnajave do të ndikojë drejtpërdrejtë mbi ekonominë lokale, duke tkurrur edhe turizmin malor që mbante qindra familje në vende si Kenia, Tanzania etj. Por kjo është vërtetë vetëm pika më sipërfaqësore e një situate dramatike për atë kontinent që sipas raportit në vitet në vijim do të përballet me “rritje të mëtejshme të temperaturave, rritje e nivelit të detit që do të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke, por edhe thatësirë të madhe”.

Sipas kreut të WMO, Petteri Talas, “tkurrja e akullnajave tregon rrezikun e një ndryshimi të pakthyeshëm për planetin”. Pjesa më e madhe e fajit për këtë situatë i faturohet aktivitetit njerëzor, ku si paradoks, industritë afrikane ndikojnë vetëm për rreth 5% të totalit. Sipas një studimi të ri të transmetuar nga “Wired”, akullnajat po shkrihen më shpejt nga sa menduan shkencëtarët. Që nga viti 2015, akullnajat kanë humbur gati 300 miliardë tonë akull në vit. Nëse kjo shkrirje vazhdon, shumë akullnaja mund të zhduken nga mesi i shekullit.

Ndërkaq, kanë qenë shkencëtarët nga Kanadaja, Franca, Zvicra dhe Norvegjia të cilët kanë mbledhur imazhe satelitore të bëra nga një aparat fotografik special nga sateliti Terra i NASA-s për 20 vjet. Pajisja, e quajtur “ASTER” ka fotografuar më shumë se 210,000 akullnaja në të gjithë botën, me dy lente të veçanta për të marrë një pamje tredimensionale të tipareve të sipërfaqes.

Studimi përjashtoi shtresat masive të akullit në Grenlandë dhe Antarktidë, të cilat po studiohen nga ekipe të tjera shkencore. Një analizë e re, e sapo botuar në revistën “Nature”, zbuloi se midis viteve 2000 dhe 2004, akullnajat humbën 227 miliardë tonë akull në vit.

Shkalla u rrit në 298 miliardë tonë në vit nga 2015 në 2019, gjë që autorët e studimit i atribuojnë temperaturave më të larta dhe reshjeve. Uji i tretur lëviz nga lumenjtë në oqeane dhe përbën rreth një të pestën e ngritjes së vëzhguar të nivelit të detit gjatë 20 viteve të fundit.