Rajoni

Situatë e qetë në veri të Kosovës, sot dhe nesër vizitat e zyrtarëve ndërkombëtarë në Prishtinë e Beograd!

Serbët janë duke vazhduar protestat në tre komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.

Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Disa diplomatë kërkojnë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, ndërsa Prishtina zyrtare po jep shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.

Për sot paradite është bërë thirrje për protestë masive në komunën e Zveçanit, por burime nga terreni raportojnë se për momentin aty ndodhen vetëm disa protestues, shumë të paktë në numër krahasuar me ditët e kaluara. Kujtojmë se protestat zhvillohen prej 26 majit, por nga e hëna e 29 majit, janë kthyer në të përditëshme.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot dhe nesër vizitojnë Prishtinën e Beogradin, për takime me drejtuesit më të lartë shtetërorë, mes tyre kryeministri Albin Kurti e presidenti serb, Aleksander Vuçiç.

Për Shtetet e Bashkuara, përshkallëzimi i tensioneve në veri të Kosovës ishte i shmangshëm. BBC-së, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i tha se pjesërisht, ky përshkallëzim qe rezultat i mungesës së gatishmërisë së palës kosovare që të dëgjonte komunitetin ndërkombëtar. Escobar përsëriti se duhet të thyhet cikli i dhunës e se Kosova dhe Serbia kanë përgjegjësi për të vepruar në këtë drejtim.

Në mesin e kërkesave të përmendura për qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.

Albin Kurti shprehet i gatshëm të dëgjojë propozime për zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës, por jo para se të vendoset sundimi i ligjit e të ndalet dhuna. Për  BBC-në, kryeministri përsërit qëndrimin e njohur se “trazirat në veri i shkaktojnë strukturat ilegale të kontrolluara nga Beogradi”. Referuar kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin Potokut dhe që kundërshtohen nga serbët për të hyrë në zyrat e komunave, Kurti vuri në dukje se “janë në ndërtesat ku i takojnë të jenë”.