Aktualitet Rajoni

Sot dhe nesër samiti i Brukselit, fokusi te Ballkani Perëndimor dhe Kosova!

Sot në Bruksel nis samiti dy-ditor i liderëve të BE-së që në fokus kanë procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, situatën e sigurisë në Kosovë e normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bisedimet përkojnë me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi mbi perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

Pritet që udhëheqësit europianë t’u bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit t’i ulin menjëherë tensionet e t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur e konstruktive do t’iu tërhiqet vërejtje për pasojat.

Sipas një draft-dokumenti, pritet që Këshilli Europian të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Për zbatimin e saj, dy vendet ranë dakord në muajin mars.

Këshilli Europian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementëve kyç të treguar nga Bashkimi Europian, më 3 qershor 2023. Kujtohet thirrja e Unionit për zgjedhje të parakohshme në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç.

Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative!

Në takimin e BE-së do të përsëritet përkushtimi i liderëve të vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit, që nënkupton dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Këshilli Europian përsërit mbështetjen e plotë e pa rezerva për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi e Serbia kanë përparuar më shumë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria e Maqedonia e Veriut i nisën vitin e kaluar negociatat për anëtarësim, ndërsa Bosnja mori statusin e vendit kandidat.

Kosova është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e kaluar, aplikoi për anëtarësim në bllok. Deri tani, Prishtina ka nënshkruar vetëm një marrëveshje me BE-në, të Stabilizim Asoci’imit, në tetor të vitit 2015.