Puna është shpesh një burim i rëndësishëm i qëndrueshmërisë financiare, por kur ajo fillon të ndikojë negativisht në shëndetin tuaj mendor, situata bëhet e ndërlikuar. Në një situatë ku ndiheni të stresuar dhe të nënvlerësuar, është e rëndësishme të bëni një analizë të kujdesshme të të mirave dhe të këqijave që sjell pozicioni juaj aktual. Filloni duke bërë një listë të faktorëve negativë që ndikojnë në gjendjen tuaj emocionale.
A është menaxheri juaj një person që ju bën të ndiheni të paaftë, pavarësisht punës suaj të mirë? Mos harroni, kjo sjellje shpesh mund të jetë rezultat i pasigurisë ose ankthit të tyre dhe jo një reflektim i punës suaj. Nëse jeni në gjendje të duroni këto kushte për një periudhë të caktuar kohe, mund të ketë kuptim të qëndroni në punën tuaj derisa të gjeni një alternativë më të mirë.
Stresi në punë mundet t’ju vrasë, sipas studiuesve që gjetën një lidhje midis problemeve në vendin e punës dhe cregullimeve serioze me ritmin e zemrës. Dikush që punon në një punë me nivel të lartë stresi dhe një shpërblim të ulët financiar mund të përballet me një rrezik në rritje për zhvillimin e problemit të njohur si fibrilacion atrial, sipas një studimi të botuar në Journal of the American Heart Association.
Studiuesit ekzaminuan të dhënat mjekësore të gati 6.000 personave që punojnë në zyra në Kanada. Ata treguan se vetëm stresi mjaft i lartë në vendin e punës ishte e lidhur me një rrezik 83% më të lartë të zhvillimit të sëmundjes së zemrës. Mosshpërblimi për punën e palodhur nga ana tjetër, paga e ulët e nënvlerësimi shoqërohej me një rrezik 44% më të madh.
I njohur gjithashtu si AFib ose AF, fibrilacioni atrial, është një gjendje serioze që shkakton ndërprerje të ritmit të rregullt të zemrës dhe nëse nuk trajtohet, mund të çojë në dështim potencialisht vdekjeprurës të zemrës. Ai po kështu mund të shkaktojë edhe goditje në tru ose komplikime të tjera kardiovaskulare. Më shumë se 1.5 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar janë diagnostikuar me AF. Ka të paktën 270,000 njerëz të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar që mbeten të padiagnostikuar dhe të pavetëdijshëm. Në SHBA më shumë se 12 milionë njerëz parashikohet të kenë AF deri në vitin 2030.