Bota

Stresi po i shtyn drejtuesit të mendojnë largimin!

Një krizë e heshtur po merr formë në zyrat drejtuese të kompanive: drejtuesit po përballen me nivele gjithnjë e më të larta stresi dhe lodhjeje profesionale.

Sipas raportit Global Leadership Forecast të kompanisë këshilluese Development Dimensions International (DDI), 71% e drejtuesve ekzekutivë thonë se niveli i stresit është rritur ndjeshëm që kur kanë marrë role drejtuese, nga 63% që ishte vetëm tre vjet më parë. Edhe më shqetësuese është se 40% e tyre kanë menduar të largohen plotësisht nga pozicioni.

Për kompanitë, kjo nuk është vetëm një çështje lidershipi, por një rrezik serioz për mbajtjen e talenteve kyçe.

Sipas raportit, drejtuesit e sotëm po përballen me një kombinim të vështirë: pritshmëri gjithnjë e më të larta, afate më të shkurtra dhe burime më të kufizuara.

Vetëm 30% e tyre mendojnë se kanë kohën e nevojshme për të kryer detyrat me kujdesin dhe mendimin strategjik që kërkojnë këto role.

Ata që ndihen të pambështetur nga organizata kanë dy herë më shumë gjasa të përjetojnë lodhje profesionale (burnout), një sinjal se strukturat aktuale të kompanive po i çojnë drejtuesit më të mirë në kufijtë e tyre.

Lidershipi sot është më kompleks se kurrë dhe shumë drejtues ndihen të mbingarkuar, thotë Doug Staneart, ekspert lidershipi në The Leaders Institute. Balancimi i prioriteteve konkurruese, pritshmërive të ekipeve dhe objektivave strategjikë krijon presion të madh, ndaj stresi dhe burnout po bëhen shqetësime gjithnjë e më serioze.

Kur lodhen drejtuesit, e ndjen e gjithë organizata

Pasojat nuk kufizohen vetëm te vetë drejtuesit. Të dhënat e DDI tregojnë se besimi i punonjësve ndaj menaxhimit ra në vetëm 29%, nga 46% dy vjet më parë.

Kur drejtuesit janë të mbingarkuar ose të rraskapitur, kjo reflektohet te ekipet e tyre, duke dëmtuar angazhimin, moralin dhe aftësinë e kompanisë për të mbajtur stafin.

Drejtuesit po mbajnë mbi supe jo vetëm detyrat e tyre, por edhe ndryshimet e vazhdueshme ligjore dhe rregullatore, presionin në rritje dhe nevojat emocionale të ekipeve që drejtojnë, thotë Anne Welsh, psikologe klinike dhe këshilltare për drejtuesit.

Sipas saj, ndërsa përgjegjësitë e drejtuesve janë zgjeruar, mbështetja që ata marrin nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm.

Welsh argumenton se lodhja profesionale e skajshme (burnout) nuk është dështim individual, por problem i sistemit organizativ, pasi shumë kompani po i japin përparësi urgjencës dhe rezultateve afatshkurtra, në dëm të mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së punonjësve.

Rreziku i një boshllëku drejtues

Kombinimi i stresit të lartë, rënies së besimit dhe mungesës së mbështetjes po krijon kushtet për një largim masiv të drejtuesve.

Sipas studimit, 40% e drejtuesve që përjetojnë nivele të larta stresi kanë menduar të japin dorëheqjen, dy herë më shumë sesa kolegët e tyre më pak të stresuar.

Nëse edhe një pjesë e këtyre largimeve materializohet, kompanitë mund të përballen me mungesë të theksuar lidershipi pikërisht në një periudhë kur po përjetojnë transformim të shpejtë digjital dhe pasiguri ekonomike.

Për drejtuesit e kompanive, sfida nuk është vetëm gjetja e brezit të ardhshëm të menaxherëve, por ruajtja e drejtuesve aktualë të motivuar, të shëndetshëm dhe të aftë për të udhëhequr ndryshimin.

Si mund të parandalohet lodhja në punë?

Sipas Staneart, zgjidhja kërkon mbështetje të vazhdueshme dhe sistematike, jo vetëm programe sporadike për mirëqenien.

Shumë drejtues e dinë se çfarë duhet të bëjnë, por nuk ndihen se kanë kohën apo mbështetjen e nevojshme për ta bërë siç duhet. Ky hendek ndikon në vendimmarrje, angazhim dhe vetëbesim.

The Leaders Institute rekomandon disa masa konkrete:

Të krijohet kohë për reflektim, në mënyrë që drejtuesit të kenë hapësirë për mendim strategjik dhe vetëvlerësim.

Të nxitet komunikimi i hapur, me kanale të sigurta ku drejtuesit mund të diskutojnë shqetësimet dhe ngarkesën e punës.

Të investohet në inteligjencën emocionale dhe rezistencën psikologjike, aftësi që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në mjedise me presion të lartë.

Të përmirësohet menaxhimi i kohës, duke reduktuar barrën administrative dhe duke i ndihmuar drejtuesit të fokusohen te prioritetet kryesore.

Të jepet shembull nga nivelet më të larta, duke treguar se balanca mes punës dhe jetës personale, si edhe shëndeti mendor, vlerësohen realisht nga organizata.

Sipas Welsh-it, kompanitë duhet ta trajtojnë qëndrueshmërinë e lidershipit si një prioritet strategjik.

Kapaciteti njerëzor nuk është i pafund. Injorimi i këtij realiteti u kushton organizatave në mbajtjen e stafit, në moralin e punonjësve e në fund, edhe në para./ Monitor