Bota

Sulm i rëndë me raketa balistike në Poltava të Ukrainës/ 51 viktima, mes tyre ushtarë dhe civilë! Mbi 200 të plagosur!

Kur kanë kaluar 923 ditë nga fillimi i luftës në Ukrainë, forcat ruse kanë kryer një ndër sulmet më të përgjakshme në qytetin Poltava, duke goditur me raketa balistike një spital dhe një shkollë, në ditën kur fëmijët sapo kishin nisur vitin e ri shkollor.

Sipas të dhënave të bëra publike nga presidenti i Ukrainës Zelensky, të paktën 51 persona humbën jetën dhe rreth 200 të tjerë u plagosën.

“Rusia do të paguajë për këtë. Ukraina ka nevojë për sisteme të mbrojtjes raketore, janë të domosdoshme tani, jo më vonë, duhet të mbarohemi nga terrori rus”, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky në një videomesazh të publikuar rrjetet sociale.

Raketat ruse goditën menjëherë pasi ranë sirenat që njoftojnë për sulme ajrore, dhe shumë njerëz nuk arritën të hynin në vendstrehime për t’u mbrojtur nga bombardimet.

Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të shpëtonin 25 persona, 11 prej të cilëve u nxorën nga rrënojat, por dhjetëra të tjerë u gjetën të pajetë. Guvernatori i qytetit bëri të ditur se në Poltava do të mbahen tre ditë zie për viktimat e sulmit.

Poltava ndodhet rreth 110 kilometra nga kufiri me Rusinë dhe rreth 350 kilometra në juglindje të Kievit.