Aktualitet

Sulmi kibernetik, kryeministri Rama: Dy shtete të dyshuara!

“Sulmi kibernetik mbi Shqipërinë u zmbraps përfundimisht dhe shërbimet për publikun të platformës e-Albania janë rikthyer masivisht”. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Rama.

Tani mbetet një numër i vogël i tyre për t’u rikthyer, që të plotësohet i gjithë kuadri i ndërveprimit dhe punës së zakonshme të përditshme të nëpunësve që qëndrojnë pas ekraneve për t’u shërbyer qytetarëve pa radha, pa kosto dhe pa asnjë bakshish. Do të kemi një konferencë të posaçme për shtyp edhe me partnerët kur gjithçka të jetë e përfunduar e skuadra speciale e angazhuar e SHBA-ve nuk do të ketë nevojë të qëndrojë në tryezë me ekspertët tanë.

Ky nuk është sulm i organizuar nga hakera të zakonshëm e as nga grupe njerëzish të kësaj bote të errët që shpesh herë bëjnë ndërmarrje të tilla edhe ndaj shteteve më të mëdha e të fuqishme deri duke bllokuar sisteme të mëdha e kritike në SHBA, për të vendosur gjoba shumë të majme për ente të caktuara.

Rama bëri të ditur se ende nuk kanë të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve fortësisht të dyshuara. I pyetur se cilat janë ato, kryeministri u shpreh:

Nuk dua të spekuloj sepse është serioze dhe në momentin që do të kemi provat e mjaftueshme, pastaj do të ndërmarrim edhe aksione konkrete të natyrës diplomatike ndaj cilitdo nga këto dy shtete që është autori i këtij agresioni kriminal ndaj Shqipërisë. Do më lejoni të jem i rezervuar. Arsyeja pse ne jemi përpjekur të informojmë publikun, por pa thënë gjithçka është sepse kemi qenë realisht në një luftë me një agresor që bombardonte nga të gjitha anët të gjitha sistemet tona, njësoj si të vinte të bombardonte Rusia sot, kanalizimet, rrjetin e ndriçimit por në hapësirën virutale.

A tregoi ky sulm kibernetik brishtësinë e sistemit tonë mbrojtës? Shefi i qeverisë deklaroi:

Ky sulm i fortë kibernetik, shumë i fortë, ka treguar në fakt forcën e sistemit tonë sepse rënia e sistemit në një moment të caktuar është diçka që ndodh edhe siç thashë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo më në Shqipëri dhe mbyllja e dyerve për t’u mbrojtur është pjesë e një mase në këtë proces. Megjithatë këto janë detaje dhe unë nuk dua tani të bëj ekspertin kibernetik, të cilat do të mund t’i diskutoni me skuadrën që po përfundon, shpresojmë brenda kësaj fundjave, të gjithë risistemimin pas bombardimit.