Aktualitet

Sulmi kibernetik, mbi 98% të shërbimeve online janë tashmë funksionale, Balluku: Nuk është moment për tu përdour politikisht!

“Mbi 98% të shërbimeve online janë tashmë funksionale!” Kështu tha drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karcanaj në një deklaratë duke theksuar se gjithçka po shkon drejt normalitetit dhe nuk ka asnjë humbje të dhënash nga sulmi kibernetik në platformat qeveritare online. Disa ekspertë të Microsoft iu përgjigjën menjëherë kërkesës së AKSHI-t për të reaguar ndaj këtij sulmi që synonte fshirjen e të gjitha sistemeve kritike të rëndësishme qeveritare së bashku me të dhënat në to por falë reagimit të shpejtë nuk u humb asnjë e dhënë.

Të vetmet shërbime me të cilat ende po punohet janë njehsimi i diplomave dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e huaja, vërtetimi i ndihmës ekonomike, i pagesës së aftësisë të kufizuar, i kërkesës për të përfituar nga programet e strehimit social, lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës, kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike dhe shërbimet që lidhen me to. Krah Karcanaj në këtë deklaratë ishte edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i skuadrës speciale të Microsoft për sigurinë kibernetike, Kevin Chin.

Deri në atë moment për të mos patur dezinformim të qytetarëve apo qoftë dhe të punonjësve të administratës, të cilët janë të shumë dhe janë përballur më këtë situatë, do të ishte mirë të ishim të kujdesshëm në gjithçka themi dhe në gjithçka marrim përsipër për të pasur parasysh që teknologjia ndryshon, nga çfarë aplikohet sot në AKSH, apo çfarë aplikohet në vendet e tjera apo çfarë diturie apo dijeni mund të kenë të gjithë ekspertët, ky nuk është një moment për të shprehur apo për tu përdorur politikisht, ky është një moment i cili ka prekur shqiptarët dhe ashtu siç e thashë në fillim të fjalës sime, ka shqetësuar padyshim edhe partnerët, pasi Shqipëria është vënë në shënjestër dhe ky atak ka krijuar një sërë problematikash, tha Balluku.

Eksperti i Microsoft theksoi se po vijojnë punën në mënyrë që të rrisin mbrojtjen ndaj sulmeve keqdashëse në platformat e shërbimeve online në Shqipëri. Ndërsa zv.kryeministrja Belinda Balluku u shpreh se ky agresion është luftë e mirëfilltë nga e cila do të vazhdojmë të mbrohemi. Pavarësisht se një pjesë e mirë e sistemeve është rikuperuar, do të vijojnë monitorimin e situatës dhe të jenë vigjilent ndaj problematikave që mund të sjellin sulmet në vazhdim.

Kujtojmë se një pjesë shumë e madhe e shërbimeve online në e-Albania u rikthyen vetëm pak ditë pas sulmit, duke bërë të mundur kështu që qytetarët të marrin dokumentet online. Pas rikthimet të e-Albania kanë nisur regjistrimet edhe për klasat e para dhe të dhjeta. Kryeministri Edi Rama tha se në procesin e mbrojtjes është përfshirë edhe NATO.

Sulmi kibernetik në platformat qeveritare online ka ardhur nga e njëjta dorë që ka bërë sulmet vitin e fundit në shumë vende evropiane. Kështu deklaroi Kryeministria përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat të hënën. Qeveria garantoi të gjithë shqiptarët se reagimi ka qenë i shpejtë dhe të gjitha faqet dolën të paprekura dhe janë të sigurta.