Bota

Sulmi në aeroportin e Kabulit, reagon Biden: “Do t’ju kapim dhe do t’ju bëjmë të paguani!”

Presidenti amerikan i SHBA-ve, Joe Biden së fundmi është zotuar se SHBA do te gjejë autorët e sulmeve në aeroportin e Afganistanit.

Do t’ju kapim dhe do t’ju bëjmë të paguani.

Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara do t’i gjejnë autorët e sulmeve kamikaze dhe personat e tjerë përgjegjës për ato sulme vdekjeprurëse, jashtë aeroportit të Kabulit, ku mijëra njerëz ishin mbledhur me shpresën për të ikur nga vendi i kontrolluar nga talebanët.

Në fjalimin e tij, Biden u zotua se evakuimet do të përfundojnë dhe Shtetet e Bashkuara do t’i kapin ata që qëndrojnë pas sulmit.

Ata që kryen këtë sulm, si dhe cilido që do t’i bëjë keq Amerikës duhet ta dinë: ‘Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t’ju kapim dhe do t’ju bëjmë të paguani. Ne do t’i nxjerrim nga Afganistani amerikanët që duan të largohen.’

Pavarësisht këtij zotimi, Biden nuk premton se si do të përfundojë operacioni i gjerë i evakuimit. Ndërkaq, rikujtojmë se të paktën 60 afganë dhe 13 trupa amerikanë u vranë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe afganë, ndërkohë që 143 afganë kanë mbetur të plagosur.

Disa shtete paralajmëruan se ekzistonte një kërcënim i lartë për një sulm terrorist në aeroportin e Kabulit dhe paralajmëruan qytetarët e tyre që të mos udhëtojnë për atje. Australia, SHBA dhe Britania e Madhe kanë dhënë paralajmërime për qytetarët e tyre, duke i këshilluar të largohen menjëherë nga zona.

Pentagoni lajmëroi se operacionet e evakuimit do të vijojnë pavarësisht ngjarjes së rëndë ndërsa paralajmëroi për të tjera sulme që mund të ndodhin. Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, tha nëpërmjet një postimi në Twitter se prioritet mbetet evakuimi i sa më shumë njerëzve, sa më shpejt.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 70 mijë njerëz, përfshirë edhe qytetarët e tyre, personelin e NATO-s dhe afganët në rrezik. Një ndër evakuimet më të mëdha në historinë njerëzore, ka nisur prej 14 gushtit, pasi talebanët arritën të “thyenin” edhe Kabulin.