Një sulm rus me dronë në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumi, vrau dy persona e plagosi 12 të tjerë sot në mëngjes, siç njoftuan autoritetet rajonale. Dymbëdhjetë objekte banimi, pesë ndërtesa private, një dyqan dhe tri vetura u dëmtuan pasi tre dronë sulmuan qytetin në orën 05:00 të mëngjesit, deklaroi policia.
Volodymyr Artiukh, guvernatori rajonal i Sumit, tha se forcat ruse i kishin mbuluar dronët me copëza metali, për këtë sulm ndaj një pjese të banuar të qytetit.
Kjo armë përdoret… ekskluzivisht për [të vrarë] njerëz, tha Artiukh, duke treguar dëmet ndaj një ndërtese. Jo për objektin, por për të goditur më shumë njerëz.
Video e postuar nga administrata ushtarake e Sumit pas sulmit, shfaq makina të dëmtuara e ndërtesa me xhama të thyer dritaresh. Rusia e ka bombarduar pareshtur këtë rajon dhe infrastrukturën jetike të tij në javët e fundit. Një sulm me dronë mbrëmjen e së martës në qytezën Huhiv në të njëjtin rajon, shkaktoi 12 të vdekur, mes tyre një fëmijë.
Të dielën në mbrëmje, një sulm raketor në Sumi vrau 11 persona e plagosi 89 të tjerë, si dhe e la qendrën administrative të qytetit në errësirë nga mungesa e energjisë elektrike.
Kremlini reagoi duke deklaruar se një sulm i ushtrisë ruse në Ukrainë, me një raketë të sapozhvilluar balistike hipersonike, kishte për qëllim ta paralajmëronte Perëndimin se Moska zyrtare do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve të tyre të “pakujdesshme” në mbështetje të Ukrainës. Zëdhënësi Dmitry Peskov i bëri këto komente një ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se Rusia përdori raketën e re Oreshnik në një sulm ndaj një objekti ushtarak të Ukrainës.
Mesazhi kryesor është se Rusia do të përgjigjet ndaj vendimeve dhe veprimeve të pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa dhe e furnizojnë Ukrainën me to e më pas marrin pjesë në sulme ndaj territorit rus, iu tha gazetarëve Peskov.
Pala ruse i ka dëshmuar qartë aftësitë e saj, si dhe linjat e veprimeve të mëtejshme hakmarrëse, në rast se shqetësimet tona nuk merren parasysh, janë shpalosur mjaft qartë.
Peskov vuri në dukje se Rusia nuk ishte e detyruar t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara për këtë sulm por gjithsesi i njoftoi ato 30 minuta para lëshimit të raketës.
Putini mbetet i hapur për dialog.
Një ditë më parë, shefi i Kremlinit, Putin u shpreh se përdorimi i armës së re ishte përgjigje ndaj vendimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për ta lejuar Ukrainën t’i përdorë raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.