Bota

Sulmi terrorist në sinagogën e Jerusalemit Lindor, 42 të arrestuar/Autori 13-vjeç u neutralizua!

Policia izraelite ka arrestuar 42 persona në lidhje me të shtënat vdekjeprurëse të një dite më parë në një sinagogë në Jerusalemin Lindor, ku të paktën shtatë persona u vranë dhe dhjetë u plagosën. Sulmin në lagjen hebraike, policia izraelite e përshkroi si një “ngjarje terroriste”. Personi i armatosur që e ndërmori ishte një djalë vetëm 13-vjeç. Për të u njoftua se “u neutralizua”, por pa dhënë më shumë detaje.

Të shtënat në lagjen hebraike të Neve Ya’akovit pasuan një sulm vdekjeprurës nga ushtria izraelite, më 26 janar në Bregun Perëndimor. Bastisja në një kamp refugjatësh në Jenin u shndërrua në një shkëmbim zjarri, në të cilin u vranë të paktën nëntë palestinezë, ndërsa një i dhjetë humbi jetën në një përleshje në një vend tjetër.

Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në sinagogë, por një zëdhënës i lëvizjes islamike Hamas tha se “ngjarjet ishin të lidhura”. Ato shënohen pak ditë para vizitës së planifikuar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Izrael e gjithashtu në Bregun Perëndimor.

Përshkallëzimi i konfliktit izraelit-palestinez, i cili zgjat me dekada, paraqet sprovë për qeverinë e re të ekstremit të djathtë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Ai rimori detyrën me premtimin për të mbajtur qëndrim të ashpër mes tensioneve të rritura me palestinezët.

Për sulmin në sinagogë reagoi edhe Tirana zyrtare. Në një deklaratë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, MEPJ e cilëson “të tmerrshëm” dhe “terrorist” këtë sulm që përkoi me Ditën Botërore të Përkujtimit të Holokaustit.

Të shokuar nga sulmi i tmerrshëm terrorist në një Sinagogë të Jerusalemit. Fakti që ky sulm ndodhi në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit e shton akoma edhe më shumë neverinë që ndjejmë ndaj akteve të tilla kriminale. Lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave dhe për të lënduarit e këtij sulmi.