Aktualitet Rajoni

Takimi Kurti-Vuçiç, Rama: Kurti bëri gjënë e duhur, askush të mos e akuzojë për tradhti!

Kryeministri Edi Rama përshëndeti takimin e nivelit të lartë Kurti-Vuçiç që u zhvillua një ditë më parë në Bruksel, me qëllim arritjen e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Në Twitter, shefi i qeverisë e konsideron “moment historik” pëlqimin e të dyja palëve për planin franko-gjerman e shton se “paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen”.

Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën.

Po ashtu, Edi Rama vlerëson se Albin Kurti, bëri gjënë e duhur me dakordësimin për planin-franko gjerman. Kreu i ekzekutivit shfaq shpresën që askush të mos e akuzojë për “tradhti apo harresë”.

Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!

Zgjatën më shumë se 5 orë diskutimet e djeshme në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës e presidentit të Serbisë. Pavarësisht progresit, sërish palët nuk arritën marrëveshje përfundimtare e ritakohen më 18 mars. Pas takimit me Kurtin e Vuçiçin, kryediplomati europian, Borrell, tha se palët u zotuan të zbatohet ajo çfarë u nënshkrua në Bruksel. Sipas tij, nuk nevojiten të tjera diskutime sa i përket propozimit të Bashkimit Europian për planin franko-gjerman.