Tech

Tani përveç Apple edhe kompania Google do të ketë orën e saj inteligjente!

Platforma Google së fundmi ka prezantuar disa nga produktet e saj më të reja, si telefonin inteligjent Pixel 7, Pixel Watch dhe Pixel Buds Pro. Prezantimi u bë në Amfiteatrin Shoreline, ku zhvilluesve iu dha më shumë informacion rreth punës me platformat e Google. Një ndër pajisjet më të përfolura është pikërisht ora Pixel, e cila pritej prej kohësh. Ajo vjen me një dizajn rrethor, me një kurorë prekëse dhe një buton anash për navigim. Ora do të ketë sistemin e ri operativ Wear OS që Google ka zhvilluar me Samsung, si dhe aplikacionet dhe shërbimet kryesore të Google të integruara si Assistant, Maps dhe Wallet.

Ajo gjithashtu do të shfaqë veçori të shëndetit dhe fitnesit nga Fitbit, të cilin Google e bleu në vitin 2021. Në një deklaratë të bërë për mediat kompania tha se:

Google Pixel Watch është një zgjatim natyral i familjes Pixel, duke ofruar ndihmë kurdo dhe kudo që ju nevojitet. Do të jetë në dispozicion këtë vjeshtë dhe ne do të ndajmë më shumë detaje në muajt e ardhshëm.

Vlen të theksohet gjithashtu se CEO i kompanisë gjigande Google, Sundar Pichai ka zbuluar prototipin e syzeve “inteligjente” gjatë ngjarjes vjetore të “I/O” të kompanisë. Syzet mund të shfaqin bisedat me titra në anglisht, kinezisht dhe spanjisht. Pra dikush që mban këto syze mund të jetë në gjendje që të kuptojë atë që thotë personi tjetër.

Këtë mund ta bëjë duke lexuar titrat që paraqiten përmes lenteve ndërsa personi flet. Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të dalin në treg syzet e gjigandit teknologjik. Kompania filloi të përdorë syze inteligjente një dekadë më parë, por ‘Google Glass’ nuk ishin tërheqës për shumicën e konsumatorëve.