Google ka kërkuar leje nga qeveria amerikane për të lëshuar deri në 32 milionë mushkonja meshkuj të sterilizuara në Kaliforni dhe Florida, me qëllim reduktimin e përhapjes së sëmundjeve si dengue, Zika dhe ethet e verdha. Këto mushkonja nuk janë të zakonshme: ato janë meshkuj dhe janë trajtuar me një bakter natyral të quajtur Wolbachia, i cili bën që kur ato çiftëzohen me femrat e egra, vezët të mos zhvillohen dhe të mos lindin pasardhës.
Programi quhet “Debug” dhe është pjesë e një iniciative të Google (përmes kompanisë së saj shkencore Verily) që përdor teknologji, inteligjencë artificiale dhe biologji për të ulur popullatën e mushkonjave që përhapin sëmundje. Qëllimi është që, duke liruar këto “mushkonja të mira”, të ulet gradualisht numri i mushkonjave të rrezikshme pa përdorur pesticide kimike.
Kur flitet për kafshët më vdekjeprurëse në botë, shumica mendojnë për luanët, gjarpërinjtë apo merimangat. Por në realitet, kërcënimi më i madh për njerëzimin vjen nga një krijesë shumë më e vogël: mushkonjat. Sipas të dhënave të publikuara nga platforma kërkimore “Our World in Data”, mushkonjat shkaktojnë rreth 760 mijë vdekje çdo vit, duke u renditur si kafshët më vdekjeprurëse në planet. Vetë njerëzit vijnë shumë më pas në këtë listë. Arsyeja kryesore është se mushkonjat përhapin rreth 17% të të gjitha sëmundjeve infektive në botë, përfshirë malarien, dengën, ethet e verdha, chikungunya dhe virusin Zika.
Ndërkaq, një studim i ri sugjeron se mushkonjat, një nga insektet më të vjetra në Tokë, mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë se kur dhe ku u përhapën njerëzit e hershëm në botë. Mushkonjat ekzistojnë shumë më gjatë se njerëzit dhe fillimisht nuk ushqeheshin me gjakun e tyre. Por sipas një analize të re gjenetike, disa specie mushkonjash në Azinë Juglindore mund të kenë evoluar për të preferuar gjakun e njeriut si rezultat i pranisë së paraardhësve të hershëm njerëzorë në këtë rajon.