Bota

Tërmet 7.8 Rihter mes Turqisë e Sirisë, mbi 360 viktima!

Tërmet i magnitudës 7.8 Rihter mes Turqisë dhe Sirisë, mbi 360 viktima. Lëkundja shkatërrimtare u regjistrua rreth orës 02:17 minuta të mëngjesit me tonën, në jug të Turqisë, jo shumë larg kufirit me Sirinë. Epiqendra ishte në provincën Gaziantep, në thellësinë 25 km. Numri më i lartë i fataliteteve është në Siri, në Aleppo, Hama e Laodicea, ku paraprakisht flitet për 237 njerëz që humbën jetën e mbi 500 të plagosur. Në Turqi janë 76 viktima e 450 të lënduar.

Presidenti turk, Erdogan tha se këtë katastrofë do ta kapërcejnë bashkarisht. Në një postim në Twitter, Erdogan shkruan:

Shpresojmë që këtë katastrofë ta kapërcejmë të bashkuar, sa më shpejt të jetë e mundur dhe me sa më pak dëme.

Erdogan shpjegoi se menjëherë në zonën e goditur nga tërmeti u dërguan skuadra kërkim-shpëtimi. Po ashtu, të tjera njësi janë në gatishmëri.

Autoritetet turke raportuan shembjen e dhjetëra ndërtesave si në Gaziantep, ashtu edhe në Diyarbakir e Malatya. Zyrtarët druhen se persona të shumtë kanë mbetur të bllokuar nën gërmadha. U shpall gjendja më e lartë e emergjencës dhe u mobilizuan të gjitha shërbimet e shpëtimit.