Auto & Moto

Tesla së shpejti me një fabrikë të re në Indi!

Vitin e kaluar, Tesla i kërkoi qeverisë indiane që të ulë tatimin e importit mbi makinat. Qeveria refuzoi, duke preferuar që gjiganti amerikan i makinave elektrike të ndërtonte automjetet e saj brenda vendit, ndërsa vetë Tesla donte që fillimisht këtë treg ta testonte me importe. Si pasojë e këtij refuzimi, kompania i pezulloi planet e saj për shitjen e makinave në tregun e Indisë.

Tani duket se Tesla ka ndryshuar mendje për këtë çështje, pasi thuhet se ka propozuar ndërtimin e një fabrike në Indi, e cila do të ndërtonte makina elektrike si për tregun vendas, ashtu edhe për eksport. Ky informacion dyshohet se vjen nga një burim me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje.

Propozimi për një fabrikë të re ishte dorëzuar nga Tesla tek zyrtarët indian pa ndonjë lokacion specifik ose shumë të saktë të investimit. Ndër të tjera, Tesla nuk tha asgjë në lidhje me uljen e taksave. Udhëheqës të lartë të Tesla-s këtë javë udhëtuan në Indi për tu takuar me zyrtarë qeveritar për të diskutuar burimin lokal të pjesëve dhe çështje të tjera.

Delegacioni i Tesla gjithashtu takoi zyrtarë nga zyra e kryeministrit Narendra Modi, e gjithashtu edhe zyrtarë nga ministri të tjera, kështu që është një kohë definitivisht e përshtatshme që një propozim i tillë t’u dorëzohet zyrtarëve indianë. Supozohet se negociatat mund të vazhdojnë me detajet në lidhje me lokacionin dhe shumën e investimit.

Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka bërë të ditur se do të nisë reklamimin e makinave, për të parë nëse funksionon apo jo një gjë e tillë, pra a do të ketë ose jo rezultat. Në të kaluarën, Tesla nuk e ka shfrytëzuar kurrë formën e reklamimit tradicional për të vënë në pah makinat e saj. Miliarderi Musk ka vënë në dukje se është “ironi” që si shef i Tesla-s, tani ai ka në pronësi edhe platformën sociale, Twitter.